SHBA, bombardues bërthamorë në Korenë e Jugut

19/03/2013 09:25

Shtetet e Bashkuara dërguan në Korenë e Jugut bombardues “B-52”, në gjendje që të realizojnë goditje me armë bërthamore, si masë paraprake pas përshkallëzimit të tensioneve në Gadishullin Korean.

Një avion ka mbërritur në Korenë e Jugut në datën 8 mars, ndërsa një mision i ri do të fluturojë të martën.

Zyrtarët amerikanë deklaruan se shpresojnë që “B-52” të tregojnë aftësi për të përmbajtur tensionet, ndonëse rritja e prezencës amerikane në jug është kritikuar ashpër nga Kina dhe Rusia.

Sipas dy superfuqive aziatike, veprimet e SHBA-së po kontribuojnë për të rritur edhe më shumë tensionet në rajon.

”Ndërsa Korea e Veriut kërcënon të sulmojë Korenë e Jugut me armë bërthamore, ushtrimet që përfshijnë pjesëmarrjen e “B-52” janë domethënëse, pasi tregojnë vendosmërinë amerikane për të ofruar kapacitetet e tyre bërthamore si mburojë për Gadishullin Korean”, deklaroi Kim Min-seok, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Seul.

Tensioni në Gadishullin Korean ka ardhur në një spirale përshkallëzimi të rrezikshëm që prej muajit dhjetor, kur Peniani lëshoi në hapësirë një satelit, nëpërmjet një rakete me rreze të gjatë veprimi dhe kreu një shpërthim bërthamor, në muajin shkurt, në kuadër të testimit të armëve të reja.

Si rrjedhojë e këtyre veprimeve në kundërshtim me paktet dhe zotimet e firmosura nga Korea e Veriut përpara OKB-së, vendi komunist u bë subjekt i sanksioneve të reja ekonomike, të cilave Peniani iu përgjigj në mënyrë sfiduese, duke anulluar armëpushimin e vitit 1953 me Korenë e Jugut dhe duke rikthyer gjendjen e luftës, së bashku me kërcënimet për shkatërrimin e plotë bërthamor.

Top Channel