Afati për Serbinë po skadon. Në qershor krerët e BE-së do të vendosin se kur do të fillojnë bisedimet për anëtarësimin me Serbinë. Por Serbia duhet të bëjë më parë disa kompromise me Kosovën.

Kjo është përmbledhja e katër deputetëve gjermanë të fraksionit qeveritar CDU/CSU, që ishin në Beograd për të shqyrtuar situatën aktuale qeveritare.

Ata kanë thënë se kryeministri ose presidenti serb, me shkrim ose para kamerave, duhet të premtojnë se do të nënshkruajnë marrëveshjen për marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën, në mënyrë që ky vullnet të jetë edhe akt juridik.

Deputetët social-kristianë dhe demokristianë deklaruan se i kanë propozuar qeverisë serbe dhe asaj kosovare një model komunikimi dhe bashkëpunimi si ai që dy Gjermanitë patën në vitin 1972.

Deputetët gjermanë janë shprehur optimistë se të dyja qeveritë do të tregohen të hapura për këtë model bashkëjetese. Por, nëse reformat nuk ndodhin, vështirë se raporti për zhvillimin e Serbisë që do të paraqitet përpara Komisionit të BE-së më datën 16 prill, do të jetë pozitiv.

Deputetët gjermanë thanë se reformat në drejtësi nuk janë të kënaqshme, kurse vlerësimi i dialogut do të bëhet në bazë të qëndrimeve të të dyja palëve pjesëmarrëse.

Top Channel