Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka ofruar Iranit një “zgjidhje praktike”, nëse me të vërtetë synon zhvillimet bërthamore për qëllime paqësore, në vend të krijimit të armëve bërthamore.
Në një video për popullin iranian, Obama nxiti Iranin të ndërmarrë “hapa të menjëhershme dhe domethënëse” për të reduktuar tensionin me komunitetin ndërkombëtar.
Ai tha se iranianët kanë paguar “një çmim të lartë dhe të panevojshëm” për “mosdashjen” e Teheranit për të shuar shqetësimet. Mesazhi i Obama-s vjen në shënimin e Vitit të Ri persian, Novruzit.
“Liderët e Iranit thonë se programi i tyre bërthamor është për kërkime mjekësore dhe elektricitet”, tha Obama. “Megjithatë, deri më sot ata nuk kanë mundur të bindin komunitetin ndërkombëtar, se aktivitetet bërthamore të tyre janë vetëm për qëllime paqësore. Tashmë është momenti që, qeveria iraniane të ndërmarrë hapa të menjëhershme dhe domethënëse për të reduktuar tensionin, duke punuar drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë të çëstjes bërthamore”.
Ai tha se rritja e tregtisë dhe lidhjet më të mira me kombet e tjera do të sillnin përfitueshmëri për popullin iranian, por paralajmëroi se vazhdimi në rrugën aktuale do të rezultonte në thellimin e izolimit.
Mesazhi i përvitshëm i presidentit për Novruz vjen përpara vizitës së tij në Lindjen e Mesme, ditën e mërkurë. Në vizitën e Obama-s drejt Izraelit dhe Jordanisë, i pari udhëtim që prej emërimit si president, Irani pritet të jetë çështje kryesore e axhendës së tij.
Vizita e tij, e ndjekur me kërshëri, mund të përcaktojë tonet e politikave të jashtme në rajon, përgjatë mandatit të tij të dytë, sipas analistëve.
Muajin e kaluar, SHBA forcoi sanksionet ndaj Iranit, duke kufizuar aksesin e vendit te të ardhurat nga nafta e tyre, si dhe duke vendosur kufizime financiare ndaj medias shtetërore të Iranit.
Top Channel