Vëzhguesit vendorë të fushatës elektorale në Maqedoni kanë evidentuar premtime të pazakonta të politikanëve në këmbim të votës.

Mendjet kreative të disa partive politike kanë futur në listat e premtive edhe martesat. Organizata joqeveritare ‘Civil’ ka vëzghuar që nga fillimi rrjedhën e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 24 marsit.

Monitoruesit e kësaj organizate posedojnë informacione se gajtë takimeve më elektoratin, në një komunë ku numri meshkujve është shumë më i lartë se ai i femrave, disa parti politike kanë premtuar se do t’u gjejnë nuse beqarëve të kësaj komune, nëse marrin votat e tyre.

“Në një vend është shkuar aq larg sa që partitë politike kanë vënë në axhenden e tyre partiake që t’i martojnë meshkujt e asaj zone, meqë ka disproporcion mes popullatës së gjinisë mashkullore dhe asaj femërore”, ka deklaruar Albulena Karaga, nga OJQ-ja ‘Civil’.

Edhe përkundër insistimit të gazetarëve, emri i komunës dhe partisë politike që ofron martesa në këmbim të votës, nuk u bë i ditur për media.

Ndërkohë, monitoruesit e organizatës ‘Civil’ kanë evidentuar edhe premtimet e zakonshme, siç janë ato për punësime, si dhe ofrimi i parave në këmbim të votës. Gjithashtu, nuk mungojnë as kërcënimet dhe presionet.

“Në tërë vendin, administrata në vend që të jetë nëpër vendet e punës, është nëpër shtabe dhe mitingje. Ka edhe çmime sa kushton që të shkosh në një miting të caktuar. Përveçse njerëzit bilhen për vota, ata blihen edhe për të vajtur nëpër mitingje të ndryshme”, ka saktësuar Karaga.

Karakteristikë e kësaj fushate janë kolaicionet etnike në disa komuna. Kjo sipas drejtuesve të organizatës joqeveritare ‘Civil’, thellon edhe më tepër ndarjet ndëretnike dhe lë pasoja afatgjata për vendin.

Top Channel