“Lufta në Irak, një mësim i hidhur”

19/03/2013 23:20

Lufta e Irakut ishte një mësim i hidhur, por bota është një vend më i mirë pa Sadam Husein. E thënë kjo nga Paul Wolfowitz, ish-zëvendës Sekretari amerikan i Mbrojtjes, nga viti 2001 deri në 2005-ën, më shumë sesa fakt, tingëllon si justifikim.

Hetimi i zgjeruar i grupit mbikqyrës për Irakun nuk gjeti asnjë prej armëve kimike e biologjike, mbi të cilat u ngrit e gjithë tymnaja e nevojës për një ndërhyrje ushtarake kundër regjimit të Sadam Huseinit.

Megjithatë, 10 vjet nga pushtimit amerikan, që çoi në përmbysjen e diktatorit, por nuk e bëri Irakun një vend më të sigurt për banorët e tij, ish-numri dy i Pentagonit vazhdon të këmbëngulë se lideri irakian kishte ndërmend t’i rifillonte programet e armëve të shkatërrimit në masë, sapo të hiqeshin sanksionet.

Në rastin e Irakut, bota do të bëhej dëshmitare e një pushtimi të shkurtër, por kalvari ishte rezervuar për më vonë. Mbërritja e forcave të koalicionit në Bagdad nuk rezultoi të ishte fundi, por fillimi i luftës së vërtetë.

Strategjia e besnikëve të regjimit të përmbysur, për të vazhduar rezistencën nëpërmjet luftës guerile e sulmeve me bomba, që morën plot jetë civilësh të pafajshëm, e zhyti vendin në kaos.

“Arsyeja e vërtetë përse konflikti zgjati kaq shumë dhe ishte kaq i vështirë, i detyrohet vonesave në zhvillimin e një strategjie kundër kryengritësve. Esenca e një strategjie të tillë është të kthehet mbrojtja e popullatës në prioritetin kryesor dhe në fokusin e të gjithë përpjekjeve, në vend që përqendrimi të jetë te ndjekja apo asgjesimi i armikut”, tha Wolfowitz.

E si për të kujtuar që, 10 vjet pas pushtimit, kryengritja ende vazhdon, një seri shpërthimesh tronditi sot zonat me shumicë Shiite të Bagdadit, duke marrë gati 50 jetë njerëzish. Sulmet e koordinuara morën në shënjestër tregje, restorante e stacione autobuzi, në orët e para të ditës, kur shumë njerëz nxitonin për në punë.

Bilanci i vdekjeve e bën këtë ditën më të përgjakshme në Irak, prej më shumë se 6 muajsh. Dhuna në vend është fashitur disi, krahasuar me pikun e rebelimit në vitet 2006 dhe 2007, por shpërthimet vazhdojnë të mbeten një fenomen thuajse i zakontë.

Top Channel