Kriza e bankave në Qipro

19/03/2013 00:30

Pas reagimit të ashpër publik dhe vërshimit të njerëzve për të tërhequr paratë e depozituara nëpër banka, Qipro mund t’i ndryshojë kushtet e dorëzanisë.

Presidenti Nicos Anastasiades është takuar me disa ligjvënës për të diskutuar kushtet e vendosura, ndërsa debati dhe votimi në parlament u shty për të martën.

Bankat qipriote u detyruan të mbyllin dyert në mesin e krizës, e nuk do të hapen deri të enjten. Marrëveshja, për një paketë ndihme prej 10 miliardë eurosh, me Bashkimin Europian dhe FMN-në erdhi bashkë me kërkesën, që klientët të paguajnë një taksë mbi depozitat bankare, qëllimi i së cilës është të sigurojë kontributin e investitorëve në dorëzani.

Taksa është 6,75% e shumës, për personat me depozita më pak se 100.000 euro, dhe 9,9% për ata me më shumë se kaq. Me të mësuar lajmin, njerëzit nxituan të tërheqin paratë, ndërsa së fundi, qindra vetë kanë protestuar përpara ndërtesës së parlamentit në kryeqytetin Nikozi.

“Ne punojmë gjithë ditën që të ushqejmë fëmijët, e tani thonë se do të na marrin paratë që i kemi fituar me djersë? Jo, është e papranueshme. Nuk ka qethje, nuk do të pranojmë asnjë masë të tillë”, tha një banor.

“Po të na kishte kërkuar qeveria të bënim ndonjë donacion, aq sa të mundeshim, do të kishim ofruar rrogën e një muaji, po qoftë edhe dy muajsh, por me këtë që po bëjnë, ata janë duke mbjellur kaos!”, u shpreh një tjetër shtetas i Qipros.

Pasiguria që ka sjellë kjo situatë në Qipro u reflektua menjëherë në tregjet financiare. Bursat në Shtetet e Bashkuara, Azi dhe Europë pësuan që të gjitha rënie.

Presidenti rus Vladimir Putin e quajti taksën e propozuar “të padrejtë, jo profesionale dhe të rrezikshme”. Bankat dhe bizneset ruse kanë të depozituara shuma të mëdha parash në Qipro. Ndërkohë taksa në fjalë duhet të shkojë më parë në parlament për miratim.

Top Channel