Irak, sulm terrorist, 60 të vrarë në kryeqytet

19/03/2013 00:00

Të paktën 60 persona kanë mbetur të vrarë nga shpërthimi zinxhir i disa autobombave në kryeqytetin e Irakut, Bagdad.

Qindra të tjerë janë plagosur, disa prej të cilëve në gjendje kritike. Bilanci i këtij akti terrorist ka ardhur duke u rënduar nga ora në orë, raporton “BBC”.

Sulmet ndodhin në prag të 10-vjetorit të nisjes së pushtimit amerikan të vendit, që solli edhe fundin e regjimit të diktatorit Saddam Hussein.

Ndonëse dhuna në Irak mbetet larg niveleve kulmore të 2006-s, vendi është përfshirë nga një luftë e përgjakshme fetare midis sunitëve dhe shiitëve.

Si rrjedhojë e dhunës, në muajt e fundit është regjistruar një bilanc prej rreth 300 të vdekurish në muaj, në sulmet terroriste të militantëve të secilës përkatësi fetare.

Një vend me 31 milionë banorë dhe të ardhura për frymë të ngjashme me ato të Shqipërisë, Iraku vuan nga një përçarje e thellë fetare, trashëguar nga ndarja prej 65% shiitë, 30% sunitë dhe 5% të krishterë që ka vendi, në të cilin përfshihet edhe një komunitet i rëndësishëm kurd.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA