Sikurse për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën kusht për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit është marrëveshja që duhet të arrihet në dialogun ndërmjet kryeministrave të të dyja shteteve. Ky është mesazhi të cilin e solli në Prishtinë komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fyle.

Pas takimit me autoritetet e qeverisë së Kosovës, komisioneri fyle duke iu referuar takimit të 20 marsit mes kryeministrave Thaçi-Daçiç, tha se ditët e ardhshme janë vendimtare për të ardhmen europiane të Kosovës.

“Ditët dhe javët e ardhshme do të jenë vendimtare për marrëdhëniet BE-Kosovë. Një marrvëshje eventuale nesër me Beogradin do të ndihmojë në përgatitjen e terrenit për konkludime pozitive nga KE-ja në takimin e ministrave të Këshillit në qershor për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit”, deklaroi Fyle.

Komisioneri për Zgjerim i BE-së vijoi me prezantimin e qëndrimit të tij për këtë çështje në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Europiane.

Ai ftoi spektrin politik në Kosovë që t’i ofrojë përkrahje kryeministrit Hashim Thaçi në vendimet e vështira që do të merren në Bruksel. Sipas tij, përfitimet nga ky proçes janë shumë të mëdha dhe ato nuk duhet të anashkalohen.

“Çështjet të cilat po diskutohen janë komplekse dhe të ndjeshme dhe vendimet do të jenë të vështira. Sidoqoftë, është thelbësore që të vazhdohet me punën e mirë, në mënyrë që të arrihen përfundimet e duhura. Përfitimet nga marrëveshjet janë shumë të rëndësishme dhe nuk mund të anashkalohen, por kryeministri Thaçi nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. Në proçesin e dialogut me Serbinë, kryeministri Thaçi ka nevojë për mbështetjen e të gjithë liderëve, pavarësisht ndasive që mund të kenë. Çdo marrëveshje me Serbinë kërkon mbështetjen gjithëpartiake. Dialogu dhe progresi i Kosovës në raportet me Serbinë është i rëndësishëm për të ardhmen në Bashkimin Europian”, nënvizoi Fyle.

“Integrimi evropian i Kosovës nuk ka alternativë. Zotohemi për përmbushjen e të gjitha kritereve që parashtrohen në proçesin e integrimit. Dialogu me Serbinë është në një fazë të rëndëishme dhe e vetmja rrugë për të ndërtuar marrëdhënie paqësore”, deklaroi nga ana tjetër presidentja Atifete Jahjaga.

Nga ana tjetër, komisioneri për Zgjerim vlerësoi progresin e qeverisë së Kosovës në plotësimin e kritereve afatshkurtëra. Ai shtoi se duhet ende punë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe më shumë progres në reformën zgjedhore.

I pyetur nga gazetarët nëse marrëveshja me Serbinë do të ndryshojë qëndrimin e pesëshes europiane, komisioneri Fyle tha se shpreson se kjo mund të influencojë pozitivisht vendimin e tyre.

Në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrimet Eurpiane mungoi kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ndërsa kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli u largua nga salla pak minuta para se të fillonte takimi për shkak se nuk i pëlqeu ulësja e caktuar.

Komisioneri Fyle në kuadër të takimeve me klasën politike u takua edhe komisionin parlamentar për punë të jashtme, të cilin e drejton kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti. Por ky takim u mbajt  me dyer të mbyllura.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA