Zëvendëspresidenti i SHBA, Joseph Biden i ka dhënë një mbështetje të fuqishme dialogut Kosovë-Serbi, një ditë para takimit të radhës mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç.

Biden ka takuar veç e veç të hënën mbrëma në Romë kryeministrin Thaçi dhe presidentin e Serbisë, Nikoliç. Kryeministri i Kosovës, në një prononcim pas takimit ka thënë se ka marrë mbështetjen e SHBA për arritjen e marrëveshjes që do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“SHBA-të e mbështesin këtë proçes. Ato presin që të arrihet marrëveshja që do të normalizonte marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura. Që do të nënkuptonte më shumë stabilitet, paqe dhe perspektivë të integrimit për të dyja vendet”, ka deklaruar Thaçi për “RTK”.

Sipas tij, zoti Biden tha se SHBA-të do ta ndjekin nga afër këtë proçes. Ai rikonfirmoi se, ashtu siç kanë qenë më herët me ne, SHBA-të do të jenë me ne edhe këto ditë dhe përgjithmonë.

Thaçi ka theksuar më tej se ka pasur një takim miqësor me Biden dhe nuk ka dashur të komentojë deklaratat e presidenti të Serbisë, Nikoliç, se nuk pranon presione.

Takimi i radhës mes kryeministrave Thaçi-Daçiç do të zhvillohet të mërkurën në Bruksel, edhe këtë herë në ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton, e cila e ka cilësuar këtë fazë të proçesit si më të vështirën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA