Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përfaqësuan Shqipërinë mes delegacioneve nga e gjithë bota, që morën pjesë në meshën e inaugurimit të Papa Françeskut, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Me Atin e Shenjtë kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli patën një takim përshëndetës pas ceremonisë, një rast i mirë ky që kreu i qeverisë të ftonte Papa Françeskun për një vizitë në Tiranë. Por takimi me Atin e Shenjtë për kryeministrin Berisha ka edhe një domethënie tjetër.

“Nuk mund të mos theksoj një koinçidencë fatlume në karrierën time politike. Që nga viti ‘92 e gjer më sot, para çdo fitoreje elektorale, unë kam pasur fatin e madh të jem në Vatikan e të takohem me Atin e Shenjtë, nga Papa Gjon Pali II tek Papa Françesku I, çka është në mënyrë të pamohueshme një bekim hyjnor për fitoren e ardhshme”, deklaroi Berisha për mediat.

Rama në Twitter

Pas publikimit të takimit përshëndetës që pati Kryeministri Sali Berisha me Papën e ri dhe prononcimit për mediat pak kësaj ngjarjeje të rëndësishme, reagon në Twitter kryesocialisti Edi Rama.

“Kryeministri: ‘Ati i Shenjte bekoi fitoren time!’ Do kete degjuar qe Saliu flet me Zotin dhe ka dashur qe ta kete mire me bashkebiseduesin e perendise”, shkruan Rama.

Më pas Rama shton se “Pertej shakase: Sa qesharake aq edhe e turpshme qe Kryeminister shqiptar te kete kete nivel etik mizerabel sa te keqperdore edhe figuren e Papes”.

Top Channel