Një traktat i mundshëm paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rikthyer në qendër të debatit politik në Prishtinë, në kohën kur bisedimet Kosovë-Serbi duket se janë në fazën përfundimtare.

Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se një traktat i tillë duhet te arrihej më herët. Ai ka kujtuar se këtë ia ka përmendur pas luftës një zyrtari të BE-së, te cilit në atë kohë nuk i ishte dukur e pëlqyeshme.

“Në një rast e kam thënë dhe nuk dëshiroj të paragjykoj, dëshiroj të them se në këto bisedime të bëhet normalizimi i vërtetë i raporteve mes Kosovës e Serbisë. Megjithatë, ne ende nuk kemi një material zyrtarë dhe të shkruar mbi bazën e të cilit do t’i shfaqnim mendimet tona”, ka deklaruar Krasniqi.

Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri shprehet se një traktat i tillë duket se është larg, përderisa Kosova ka përballë një Serbi të tillë, që nuk shkëputet lehtë nga e kaluara.

“Të gjitha marrëveshjet që do të arrihen në dialogun Kosovë-Serbi duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Beqiri.

Ndërkohë, në lëvizjen Vetëvendosje, që kundërshtonë dialogun aktual, deklarohen pro një traktati të paqes, por vetëm nëse përmbushen disa kërkesa nga ana e Serbisë.

“Qëndrimet e fundit të kryeministrit Thaçi tregojnë se vija e kuqe në këto negociata për qeverinë e Kosovës na qenka Republika Serbe në Kosovë, ashtu sikurse është në Bosnjë, duke thënë se nuk do të krijohet një republikë e tillë. Me fjalë të tjera, po thuhet që gjithçka që është pak më pak sesa republika serbe në Kosovë, qenka e pranueshme për këtë qeveri”, ka thënë deputeti Glauk Konjufca.

Këto komente u bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit dhe vetëm pak kohë para se në Bruksel të zhvillohet takimi i shtatë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiç, nën ndërmjetësimin e baroneshës Ashton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA