Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka porositur partitë maqedonase që janë bërë bashkë kundër kanidatëve shqiptarë për Strugën, se kryetari i ardhshëm i kësaj komune do të zgjidhet nga vullneti i shumicës së votuesve.

Struga në tetë vitet e fundit është drejtuar nga shqiptarët, të cilët përbëjnë mbi 60% të popullsisë në këtë qytet.

“Kryetari i Strugës mban mbi shpatulla përgjegjësinë sesi do të drejtojë Strugën. Struga nuk mund të ndahet në të shqiptarëve, maqedonasve apo turqve. Struga është e struganëve dhe e vullnetit të shumicës së qytetarëve të saj. Dhe ky vullnet as që nuk duhet të ndryshohet dhe as që mund të devijohet”, ka deklaruar Ahmeti.

Nga ana tjetër, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, gjatë një tubimi elektoral në komunën Saraj të Shkupit, tha se lideri i BDI-së Ali Ahmeti u tregua i padenjë për t’iu përgjigjur ofendimeve të kryeministrit Gruevski ndaj shqiptarëve.

“Kjo është beteja e vërtetë kombëtare që ne kemi këtu. Njerëzit të cilët e kanë mbyllur gojën, i fyen dhe i ofendon pandërprerë Gruevski. U thotë se s’mund ta merrni Kërçovën, u thotë se s’ju lejoj të vidhni vota, por ata vazhdojnë të heshtin. Ata të cilët shesin vendlindjen e vetë si Ali Ahmeti Kërçovën, nuk kanë se si të kërkojnë vota në Saraj, Shkup, Çair, Tetovë, Gostivar, Dibër e Strugë”, tha Thaçi.

Partitë maqedonase kanë nxjerrë kandidatë të përbashkët në qytetin e Kërçovës dhe Strugës në garën për zgjedhjet lokale.

Kryeministri Gruevski ka ftuar gjithë maqedonasit të dalin masivisht në votime për të pamundësuar fitoren e kandidatëve shqiptarë në Strugë dhe Kërçovë. Madje, Gruevski ka porositur kandidatin e BDI-së për Kërçovën, Fatmir Dehari, që të shkojë në Shqipëri për të jetuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA