Qeveria e Kosovës pritet të hartojë strategjinë kombëtare për ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin. Kjo strategji ka për qëllim të sjellë  të vërteten e asaj që ndodhi në luftë, në mënyrë që autorët e krimeve të dalin para drejtësisë si dhe të bëhet riparimi i dëmeve të luftës.

Në kuadër të këtij mekanizmi do të trajtohen edhe kategori të tjera viktimash të cilat në periudha të ndryshme vuajtën nga regjimi serb. Ballafaqimi me të kaluarën dhe pajtimi konsiderohet një proçes i vështirë që të arrihet nëse nuk përmirësohen raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në mbledhjen e parë të grupit punues për këtë cështje zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi theksoi rëndësinë e traktatit të paqes mes dy shteteve.

“Raporti me Serbinë, i cili është ende i pazgjidhur, e rëndon këtë ballafaqim me të kaluarën. Por, përkundër kësaj, qeveria e Kosovës mendon që nënshkrimi i një traktati paqeje, ku do të rregulloheshin raportet Kosovë-Serbi, do ta ndihmonte në pafundësi edhe krijimin e një ambienti të mirë për t’u ballafaquar me të kaluarën”, deklaroi Kuçi.

Ndërkohë, kryesuesja e grupit të punës, Dhurata Hoxha shtoi se grupi do të funksionojë mbi disa parime të drejtësisë tranzicionale, në mesin e të cilave është edhe përgjegjësia që bie mbi shtetin për të garantuar që lufta nuk do të përsëritet më.

“Qëllimi kryesor i grupit punues është ballafaqimi me shkeljet masive të të drejtave të njeriut dhe shkeljeve të renda të së drejtës humanitare ndërkombëtare, që përfshin periudhën e paraluftës, pasluftës dhe atë të tranzicionit”, saktësoi Hoxha.

Iniciativa për krijimin e një mekanizmi të tillë doli në sipërfaqe 14 vjet pas luftës. Ndërkaq, koha kur viktimat e luftës mund të presin rezultatet e para ende nuk dihet.

Qeveria e Kosovës ka parashikuar që në një afat kohor prej 8 muajsh të hartojë rregulloren e punës së grupit punues. Në një afat tjetër do të hartohet strategjia kombëtare, e cila pastaj do të përcaktojë objektivin përfundimtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA