Spiunët që mashtruan botën

18/03/2013 00:00

Gënjshtrat e dy spiunëve irakianë që punonin për perëndimin dhe pretendimet e tyre se Sadam Hussein zotëronte armë të shkatërrimit në masë, mashtruan Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe në vendimin për të ndërhyrë ushtarakisht në vitin 2003.

Më 20 mars të atij viti, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe disa shtete të tjera nisën pushtimin e Irakut me akuzën se Sadam Hussein nuk kishte braktisur programin programin bërthamor dhe atë të armëve kimike dhe biologjike të shkatërrimit në masë, në shkelje të rezolutës 687 të Kombeve të Bashkuara.

BBC raporton se gjashtë muaj para pushtimit, kryeministri i atëhershëm britanik, Tony Blair paralajmëroi për rrezikshmërinë e armëve të shkatërrimit në masë të regjimit të Sadam Hussein. “Programi bërthamor nuk është mbyllur”, deklaroi Blair duke u bazuar nga informacioni i siguruar nëpërmjet dy spiunëve irakianë.

Por pas pushtimit nuk u gjetën as armë dhe as gjurmë të armëve të shkatërrimit në masë dhe kjo bëri që të vërshojnë jo pak kritika kundrejt Londrës dhe Uashingtonit për vendimin e tyre të nxituar.

Informacionet kryesore nga ku u nis vendimi i Londrës dhe Uashingtonit sigurohej në mënyrë të tërthortë dhe vërtetësia e tij, edhe në vetë raportet e shërbimeve të inteligjencës cilësohej me “s’ka garanci”.

Gjenerali Sir Mike Jackson, në atë kohë kreu i Ushtrisë Britanike dhe Lordi Butler, që pas luftës udhëhoqi hetimin e parë qeveritar mbi “mashtrimin e inteligjencës”, shfajësojnë kryeministrin Blair duke deklaruar se në ato rrethana, me ato të dhëna të siguruara, bindja se Sadam Hussein zotëronte armë të shkatërrimit në masë ishte thuajse 100 përqind.

Dëshmitë kryesore u morën nga Rafi Ahmed Alwan al-Janabi, një dezertor irakian. Ai njihej me pseudonimin “Curveball” dhe dëshmitë e tij ishin kryesore në dhënien e urdhërit për luftë, lufta e kohëve moderne që përçau më shumë amerikanët dhe britanikët dhe kontribuoi në regjistrimin e gafës më të madhe të shërbimeve të inteligjencës.

Historia e Janabi-t nisi me mbërritjen e tij në një kamp refugjatësh në Gjermani në vitin 1999. Ai kërkoi azil me pretendimin se ishte një inxhinier kimist. Kjo tërhoqi vëmendjen e inteligjencës gjermane. Në dëshminë para agjentëve gjermanë ai deklaroi se në Irak ekzistonin armë biologjike të shkatërrimit në masë që ndodheshin nëpër kamionë dhe në lëvizje të përherëshme në mënyrë që të mos diktoheshin.

Inteligjenca gjermane kishte dyshimet e saj, megjithatë shpërndau dosjen me homologët amerikanë dhe britanikë. Edhe M16 kishte dyshimet e saj, dyshime të cilat ia ka referuar CIA-s në një letër sekrete.

“Në gjithë historinë e tij ka elemente të stisura, megjithatë besojmë se një pjesë e mirë e raportimit të tij është e vërtetë”, thuhet në letrën e M16 për homologët amerikanë.

E gjithë gënjeshtra do të bëhej akoma më e besueshme nga një ish-agjent irakian, majori Muhammad Harith i cili deklaroi në një takim të fshehtë me agjentët amerikanë në Jordani, se ishte ideja e tij për të ndërtuar laboratorë të armëve kimike dhe biologjike në kamionë që ndodheshin gjithë kohës në lëvizje.

Dëshmia e Harith bindi Londrën dhe Pentagonin, por më vonë pas hetimeve u zbuluar se deklarata e tij ishte e gjitha një gënjeshtër e madhe, e nxitur nga përfitimi i një shtëpie të re për të.

Top Channel