Më 24 mars Maqedonia do të votojë në zgjedhjet për pushtetin lokal ku beteja është shndërruar në etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Kërçovë dhe Strugë. Në të dyja këto qytete partitë maqedonase do të dalin me kandidat dhe lista të përbashkëta për këshilltarë komunalë, ndërsa shqiptarët janë bashkuar vetëm për emrin e kandidati në Kërçovë, ndërsa në Strugë presin raundin e dytë.
Përkundër gjuhës së ashpër në përditshmërinë politike mes partive politike shqiptare në Shkup, fushata uli tonet, ndërsa etniciteti është faktori i tretë që duket se do përcaktojë kryetarët e komunave në disa qytete.
Për të sjellë një panoramë më të zgjeruar rreth situatës në Maqedoni, në emisionin Shqip të gazetares Rudina Xhunga ishin të ftuar 2 analistët Arsim Sokoli dhe Ramadan Ramadani, ndërsa politika shqiptare përfaqësohej nga Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së dhe Sadi Bexheti, kryetar aktual dhe kandidat i PDSH-së për një tjetër mandat në Komunën e Tetovës.
Fushata ndryshe
Zonja Mehmeti vlerësoi faktin që fushata po zhvillohet me tone të qeta ku parësore është ajo cfarë kandidatët ofrojnë dhe jo gjuha e ashpër. “Po futemi në javën e fundit të fushatës. Partitë politike po përgatiten për tubimet përfundimtare në qytetet kryesore. Për mua si deputete në këtë fushatë është me rëndësi të përshëndetet fakti që në kampin shqiptar ka cilësi. Përplasjet e ashpra dhe gjuha e rëndë, nuk janë karakterisitike e këtij procesi elektoral. Fushata nisi jo mirë pasi pati disa incidente etnike dhe të gjithë kishim frikë se në bazë të këtij treguesi do të rridhte gjithë fushata. Por sot incidentet etnike nuk janë karakteristikë e kësaj fushate”, tha Mehmeti.
Por analisti shqiptar në Maqedoni, Kim Mehmeti thotë se rastet e përsëritura të dhunës ndaj shqiptarëve në lagjet e Shkupit tregojnë për një mungesë të shtetit. Analistët thonë se dhuna nxitet enkas nga partitë politike maqedonase për ta përkthyer atë në kapital politik.
Edhe analisti në studio, Arsim Sokoli vëren se dhuna nxitja e dhunës ndëretnike para zgjedhjeve bëhet për të bashkuar elektoratin maqedonas. “Është një fenomen i përsëritjes së dhunës para zgjedhje, vetëm për të tërhequr vëmendjen. Në këto zgjedhje kemi tre kriza në një; kriza politike, kriza ekonomike dhe kriza etnike, kriza tradicionale që gjithnjë është tërheqëse dhe mundëson gjithashtu edhe heqjen e vëmendjes nga dështimi i qeverisjes”, tha zoti Sokoli.
Në linjë telefonike nga Maqedoni studios së Shqip iu bashkua Fatmir Dehari, kandidati i përbashkët i partive shqiptare për kryetar komune në Kërçovë. Zoti Dehari ishte objekt i fjalimit të kryeministri Gruevski në një takim elektoral ku ftonte maqedonasit të bashkoheshin për të treguar se “Kërçova dhe Struga” janë Maqedoni.
Zoti Dehari tha se kandidimi i tij ka ardhur pas marrjes së mbështetjes nga qytetarët. Ai shtoi se po iu prezanton qytetarëve programin e tij 4-vjeçar qeverisës. Lidhur me mbështetjen e dy partive të tjera shqiptare në këtë qytet, zoti Dehari tha se ajo ishte pasojë e daljes së bllokut maqedonas me një kandidat të vetë dhe se shqiptarët reaguan duke dalë edhe ata me një kandidaturë të vetme.
Pyetjes nëse po ktheheshin në vendlindje për të votuar shqiptarët që ndodhen në emigracion, Dehari iu përgjigj pozitivisht. Mendohet se rreth 30 përqind e shqiptarëve në këtë qytet jetojnë në diasporë, kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe Europë.
Lidhur me Strugën, partitë shqiptare kanë dalë me dy kandidadura dhe shprehin bindjen se asnjë fitues nuk do të dalë nga raundi i parë i zgjedhjeve dhe se zgjedhësit do të thërriten sërish në raundin e dytë. Në këtë raund, dy kandidatët shqiptarë kanë premtuar mbështetjen ndaj kandidatit shqiptar që do të marrë më shumë vota në raundin e parë e që do të vihet përballë kandidati maqedonas në raundin e dytë.
Për analistin Ramadan Ramadani problemi kryesor që karakterizon zgjedhjet lokale në Maqedoni është mungesa e një censusi të saktë edhe pse ka kaluar 2 vjet nga koha kur ai duhej mbajtur realisht. Ramadani kritikoi edhe përfaqësimin e shqiptarëve në zgjedhje të cilin e quajti jocilësor. “Në këto zgjedhje ka tre probleme, mospërfaqësimi cilësor i shqiptarëve, frustrimet e identitet që ka popullata shumcië maqedonase dhe mungesa e një censusi që është ndërprerë edhe pse duhej mbajtur në vitin 2011. Unë mendoj që bashkimi i maqedonasve privoi demokracinë në Kërçovë dhe Strugë. E gjithë kjo sjell një pikëpyetje në këto zgjedhje. I gjithë procesi i decentralizimit problematizohet me ndasinë etnike që nuk është ndarë sipas principit sepse i mungon indikatori kryesor; regjistrimi i popullsisë.
Deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti tha se procesi i decentralizimit buron nga marrëveshja e Ohrit dhe kërkesa e shqiptarëve për më shumë vetëqeverisje në zonat ku janë shumicë. “Decentralizimi dhe riorganizimi është detyrim që buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe kërkesa e shqiptarëve para Ohrit për më shumë hapësirë për vetëqeverisje dhe qeverisje në qytetet dhe komunat që përfaqësojnë shumicën. Kompromisi i 2001 ishte që të ruajnë shtetin për pushtetin dhe pushteti si praktikë është duke ecur më shumë drejt decentralizimit dhe vendimmarrjes drejt popullatës”, tha Mehmeti.
Më tej, zonja Mehmeti u shpreh e bindur se raundi i parë i zgjedhjeve në Strugë nuk do të ketë asnjë fitues dhe se në rastin e dytë në sfidën përballë kandidatit shqiptar që do të marrë më shumë vota në raundin e parë, dhe kandidatit maqedonas, shqiptarët do të marrin qeverisjen e qytetit. “Kemi një hap shumë pozitiv, dy kandidatët shqiptarë për Strugën janë takuar të shtunën dhe janë zotuar që në raundin e dytë të mbështesin njëri-tjetrin. Sfida për Strugën ishte në 2005 kur u fitua nga shqiptarët, ndërsa Kërçova është sfida e këtij viti. Unë nuk kam dilema që Struga do të fitohet nga një shqiptar, ashtu sic besoj që edhe Kërçova do të administrohet nga një shqiptar”, tha Mehmeti duke shtuar se qëllimi kryesor i BDI-së në këtë fushatë është ndalja e përshkallëzimit të dhunës ndëretnike.
Në pjesën e dytë panelit iu bashkua Sadi Bexheti, kryetari aktual dhe kandidat për një tjetër mandat i PDSH-së në Tetovë. Zoti Bexheti prezantoi shkurtimisht programin e tij, ku pika kryesore ishte infrastrukura, arsimi dhe ujësjellësi të cilat ai u zotua t’i përmbushë nëse merr një tjetër mandat.
Fushata në Tetovë është karakterizuar nga një gjuhë e moderuar mes kandidatëve shqiptarë.
“Këto nuk janë zgjedhje politike, por zgjedhje administrative. Shumica e kandidatëve vijnë prej jetës jopolitike, profesionale që merren me problemet e përditëshme, uji, rrugët. Tetova ka 2 universitet, 6 shkolla të mesme, është i vetmi qytet që menaxhohet nga shqiptarët ku duken ndryshimet. Flas ndryshimet në infrastrukturë, gjelbërimi, fusha, problemi i landfillit, mbeturinat dhe problemi i ujit të pijshëm. Do realizojmë hidrocentrale dhe parkingjet nëntokësore, uji do të zgjidhet brenda 6 muajve dhe më pas vendgrumbullim i mbetjeve”, tha zoti Bexheti.
Kandidati shqiptar tha se komunat që qeverisen nga shqiptarët diskriminohen nga pushteti qendror. Komuna e Tetovës, tha ai, është ndër kontribuesit më të mëdhenj me taksa në buxhet, por përfitimet prej tij janë shumë të pakta. Bexheti ia faturoi qeverisë qendrore një sërë projektesh dhe investimesh të parealizuar në qytet.
Lidhur me Kërçovën, Bexheti tha se i druhet manipulimeve dhe mungesës së votuesve shqiptarë, 30 përqind e të cilëve janë në emigrim.
Në pjesën e tretë Shqip solli me anë të një lidhje me Skype një intervistë me Danko Maleski, ish-ministër i Jashtëm i Maqedonisë dhe bashkëshorten e tij, Miljana Maleski, publiciste e njohur në vend.
Rudina Xhunga: Zoti Maleski zgjedhjet në Maqedoni janë lokale, politike apo etnike?
Danko Maleski: Të gjitha. Kështu ka qenë gjithmonë. Ajo që është specifike se ato po zhvillohen në kushtet e një krize parlamentare pas ngjarjeve të 24 dhjetorit kur opozita doli nga parlamenti. Kjo krizë i shton elemntit politik dhe etnik dhe elementin lokal e vë në funksion për pushtet. Specifika e dytë ka të bëjë me rritjen e mobilizimit etnik. Kjo ka qenë pjesë e politikës së partive në Maqedoni dhe të partive shqiptare, e mgjithatë kjo forcë e konfliktit ka qenë e zbutur nga konflikti që ka ekzistuar brenda partive etnike. Për herë të parë ky rregullë është thyer, kur VMRO-DPMNE dhe LSDM u bashkuan për të fituar zgjedhjet në Strugë dhe Kërçovë. Kjo do të shkaktojë një mobilizm etnik edhe nga ana e kampit shqiptar, format e të cilit akoma nuk i dimë. Megjithatë këto mund të bëhen më të qartë nëse në Kërçovë dhe Strugë do fitojnë maqedonasit. Thembra e Akilit në sistemin tonë është se nuk kemi një koncept të zhvilluar të multilateralizmit. Duhet të zbuteshin këto konflikte ndëretnike gjatë zgjedhjeve. Kjo e bën të paqartë gjendjen e zgjedhjeve tani.
Mirjana Maleski: Personalisht mendoj se nuk ekzistojnë ndarje aq të thella. Unë kam miq shqiptarë dhe kuptohem shumë mirë me ta dhe mund t’ju them që shumë shpesh ndarjet nuk janë etnike, por mund të kemi mosmarrëveshje për cështje arsimimi. Shpesh ne gjendemi shqiptarë, maqedonas dhe turq në të njëjtën anë si njerëz që angazhohen për një arsimim më të mirë. Kur bëhet fjalë për politikën atëherë situata bëhet më seriozë. Konfliktet etnike dalin më së shumti nga nevojë për ndarjen e resurseve brenda shtetit dhe për shkak se këto resurse janë të mangëta, atëherë lufta është shumë më e ashpër, atëherë pakicat gjejnë elemente të ndryshme për të ardhur në pushtet, për të shfrytëzuar këto resurse për zhvillimin e bashkësisë së tyre. Ndarjet etnike janë me karakter politik.
Top Channel