“Nuk kthehet dënimi me vdekje”

18/03/2013 22:45

Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar akt barbar ngjarjen, që tronditi vendin gjatë 24 orëve të fundit, ku 45-vjeçari Ardian Prrenjasi, pasi u arrestua për rrëmbimin dhe përdhunimin e një të mituri, rrëfeu se ka vrarë 11-vjeçarin Julian Çela, djalin e ish-drejtorit të SHISH.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentë e pedagogë, duke folur për herë të parë mbi këtë ngjarje, kryeministri Berisha tha se nuk mund të ekzekutohet dënimi me vdekje, pasi vendi ynë jeton në një hapësirë europiane, që e ndalon atë.

“Rasti i djeshëm është nga rastet më tragjike, më tronditëse, është një barbari e vërtetë, dhe nga dje deri më sot mund të kem marrë me qindra mesazhe, në celularin tim dhe në Facebook, që kërkojnë dënimin me vdekje, ekzekutimin apo masat më të rrepta. Unë kam mirëkuptim për të gjitha këto, sepse ngjarja është tmerrësisht tronditëse, por nga ana tjetër, ne jetojmë në një hapësirë europiane, e cila në vendosmërinë më absolute ka hequr dënimin me vdekje dhe kjo është bërë në respekt të konventës europiane të të drejtave të njeriut. Shqipëria është një vend anëtar i Këshillit të Europës dhe, çdo hap mbrapa që mund të bëjmë, Shqipëria merr përsipër dënimin e saj”, tha kryeministri Berisha.

Për t’i dhënë përgjigje krimeve të tilla, kryeministri Berisha premtoi ndryshim të kodit penal, përmes një pakete që rrit shkallën e dënimit dhe që do të shkojë në parlament javën që vjen.

“Për disa vepra penale, siç është vrasja në familje, është përgjegjëse për 20% të vrasjeve në Shqipëri, ose më shumë. Unë ju them se drejtësia shqiptare ka qenë e padrejtë ndaj tyre, se fillimisht i trajtonte me butësinë më të madhe, sikur të ishin pronë dhe jo qenie njerëzore. Do ketë ndëshkimet më maksimale dhe, ajo që sot është 25 vjet do të bëhet 40 vjet. Ajo që është 20 vjet, do të bëhet 30 vjet. Së dyti, nuk kemi dënimin me vdekje, por kemi dënimin përjetë. Së treti, do të heqim çdo lloj faljeje për disa lloj krimesh të cilësuara, siç është vrasja e policit, vrasja e Krujës, por edhe gjakmarrja”, shtoi Berisha.

Top Channel