Nëna e Alketit: I them djalit të bëjë durim

18/03/2013 18:00

Një ditë pasi Alket Rizai, mbase i burgosuri shqiptar më i famshëm në botë u dorëzua, duke i dhënë fund pengmarrjes së gjashtë gardianëve grekë, në një lidhje direkte për “Pasdite” në “Top-Channel”, nëna e tij, Donika, shpjegoi frazën në të cilën inkurajonte djalin duke i thënë: “Çoje deri në fund”.

“Unë në radhë të parë kërkoj falje për atë deklaratë që dashë dje, sepse isha shumë e tensionuar, por ama, kur e shoh që djali ka 13 vjet që vuan dhe nuk më ka bërë asgjë, e këtë e di shumë mirë pasi kam qenë shumë e lidhur me djalin, mendoj se tensioni im ishte i kuptueshëm”, deklaroi nëna e 36-vjeçarit, autor i një arratisje “hollivudiane” me helikopter nga një burg i sigurisë së lartë, në vitin 2006 dhe i një tjetër tentative arratisje në 2009-n.

“Edhe në burg kur i vajta dy vite para, më tregoi të gjithë historitë. Djali im, në radhë të parë është i pafajshëm dhe do e them këtë sa të jem gjallë. Nëse djali tim i faktohet ndonjë vrasje siç e bëri greku që e futi brenda nga 2001, deri në 2006 që u arratis, 2009 që u arratis përsëri, atëherë dakord, por ai nuk ka bërë asgjë. Nga kjo ai kërkon të arratiset dhe për këtë unë i thashë çoje deri në fund, në kuptim që të kërkojë deri në fund drejtësi, e jo që t’i bënte ndonjë gjë pengjeve”, saktësoi zonja Rizai.

E pyetur nëse dinte diçka për planet e arratisjes të së birit, i denuar me burgim te perjetshem per akuzen e vrasjes, ajo shtoi: “Nuk dija asgjë për këto plane, as të parin, as të dytin dhe as të pardjeshmin. Kur e mësova ngjarjen isha shumë e tensionuar, si çdo prind. Nëse nuk do të ishte mbyllur brenda pak orësh, do të shkoja atje për të ndërmjetësuar. Djalit do t’i thoja që të bënte ende edhe pak durim, se kemi besim që e vërteta do të dalë në shesh. Ne duam që gjyqi të nisë nga e para, që nga viti 2001, përse u dënua Alketi në atë vit, të rishihen të gjitha provat. Në rast të kundërt, do t’i drejtohemi Strasburgut”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA