Kriza financiare qipriote

18/03/2013 00:00

Parlamenti qipriot shtyu për të hënën seancën e jashtëzakonshme për marrëveshjen e shpëtimit të bankave të vendit.

Debati dhe fjalimi i presidentit duhet të zhvillohej të dielën, por sipas mediave shtetërore, do të nisë ditën e parë të javës. Marrëveshja prej 10 miliardë eurosh, për të cilën u ra dakord me BE-në dhe FMN-në të premten, ndezi indinjatën publike sepse do t’i vendosë një taksë mbi 10% të depozitave bankare.

Presidenti i vendit tha se nëse do të kundërshtohet plani i shpëtimit, atëherë do të dëshmojnë kolapsin e bankave të vendit. Investitorët e shqetësuar kanë zënë radhë jashtë bankomatëve për të tërhequr kursimet. Pakti me BE-në dhe FMN-në është më radikal se paketat e mëparshme të ndihmës.  

Sipas saj, qipriotët me më pak se 100 mijë euro në llogaritë e tyre duhet të paguajnë vetëm një taksë prej 6.75 %, ndërsa ata që kanë shifra që e kalojnë këtë prag do të paguajnë 9.9%. Depozituesit do të kompensohen me shuma të njëjta në aksione nga bankat e tyre. Të shtunën, presidenti Nikos Anastasiades pranoi se marrëveshja është e dhimbshme, por është e nevojshme për të shmangur falimentimin e bankave. Udhëheqësit e opozitës dhe klientët e bankave, përfshirë dhe shumë joqipriotë, u shprehën të shokuar dhe të revoltuar për propozimet.

Marrëveshja kërkon miratimin e parlamentit. Partisë së presidentit “Grumbullimi Demokratik” që ka 20 vende në Parlamentin me 56 deputetë, i duhet mbështetje nga fraksionet e tjerë për të ratifikuar planin e shpëtimit. Duke iu referuar agjensisë së lajmeve Reuters, të paktën gjysma e depozitorëve në Qipro besohet se janë rusë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA