Në muajt e fundit të këtij viti pritet që në Kosovë të mbahen zgjedhjet lokale, ku qytetarët do të mund të zgjedhin kryetarin e komunës së tyre por edhe këshilltarët komunalë.

Tashmë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka filluar konsultat e para me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale të këtij viti, e cila mund të jetë ndërmjet 15 shtatorit dhe 15 dhjetorit.

Por, pavarësisht se ky është viti i zgjedhjeve lokale, në Kosovë ende nuk dihet se kur do të përmbyllet reforma zgjedhore, e cila u fillua në prillin e vitit 2011.

Javën e kaluar ishte parashikuar që në Kuvendin e Kosovës të debatohej për punën e Komisionit Kuvendor për Reformën Zgjedhore, por në momentin e fundit kjo çështje u hoq nga rendi i ditës.

“Ajo është bërë me kërkesë të grupit parlamentar të LDK-së. Nëse e doni mendimin tim, unë kam qenë kundër. Mendoj se Kuvendi duhet të debatojë për sistemin zgjedhor, ligjin për zgjedhjet dhe për faktin se është një standart i detyrueshëm në rrugën e saj drejtë integrimeve evropiane”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Por, ndryshe nga Krasniqi, kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se duhet harmonizim ndërmjet liderëve të subjekteve politike në çështjet kyçe të reformës, dhe tani për tani nuk ka materiale për të debatuar.

“Është problemi i listave, çështja e përbërjes së KQZ-së, që nuk ka përfurnduar, prandaj ne kemi qenë për një debat të tillë, pasi në esencë s’ka pasur materie”, ka nënvizuar Beqiri.

Në anën tjetër, në lëvizjen Vetëvendosje deklarohen se zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare do të duhej të mbaheshin sa më shpejt që është e mundur.

“Zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare do të duhej të mbaheshin sa më shpejt që të jetë e mundur. Arsyetimet e subjekteve të ndryshme politike se, na duhet një ligj i mirë për të shkuar në zgjedhje të sigurta, kanë rezultuar në marrëveshje xhentëllmenësh mes subjekteve politike që janë në opozitë, sepse janë të papërgatitura për t’u përballur me pushtetin, kurse pushtetit i konvenuar që t’i zgjatet mandati i tij”, ka deklaruar deputeti Glauk Konjufca.

Sidoqoftë, javë më parë liderët politikë janë takuar për të diskutuar për reformën zgjedhore dhe është arritur pajtueshmëria që Kosova të mbetet një zonë zgjedhore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA