Kina: SHBA po rrit tensionet në Azi

18/03/2013 15:25

Kina kritikoi planin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të fuqizuar kapacitetet mbrojtëse raketore, për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimit në rritje nga Korea e Veriut.

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, “kjo lëvizje e Pentagonit do të shërbejë vetëm për të rritur tensionin dhe intensifikuar antagonizmin në rajon”.

Në të njëjtën deklaratë, Pekini i bëri thirrje autoriteteve amerikane që të “tregohen të kujdesshëm”, për të mos përshkallëzuar krizën në Gadishullin Korean.

Ditën e premte, Uashingtoni lajmëroi planet për të vendosur 14 sisteme të shkatërrimit të raketave në ajër në Alaskë dhe një radar të sofistikuar në Japoni.

Rusia gjithashtu ka shprehur kundërshtinë dhe “shqetësimin” e saj për këtë plan.

”Çështja e sistemeve anti-raketore ka një rrjedhojë direkte në stabilitetin dhe rrjedhojat botërore e rajonale”, theksoi Moska zyrtare.

”Fuqizimi i këtyre sistemeve nuk do të jetë në asnjë rast i dobishëm, për të gjetur një zgjidhje reale për këtë problem”.

Top Channel