Rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2013 do të jetë rreth 3%, e cila edhe pse e ulët, është e qëndrueshme. Kështu parasheh Fondi Momentar Ndërkombëtar, dhe kjo u bë e ditur nga shefi i misionit të këtij institucioni, Johannes Wiegand, në një konferencë për mediat me zëvëndësministrin e Financave, Ramadan Avdiu.

“Parashikimet tona për rritjen ekonomike për vitin 2013 janë rreth 3%. Këto nuk janë rritje si në 2010-ën apo 2011-ën, por kjo ndodh për shkak të krizës ekonomike në botë, nga e cila Kosova nuk është krejtësisht e izoluar. Kosova ka njerëz që jetojnë jashtë në vendet ku ekonomitë janë ngadalësuar dhe për rrjedhojë ka më pak para që vijnë nga atje. Ne parashikojme një rritje të tillë në 2013-ën, por më duhet të them se rritja ekonomike e Kosovës është ende shumë më e lartë se e vendeve të tjera të rajonit, por edhe të vendeve të tjera të Evropës pasi shumë pak vende kanë arritur një rritje prej 3%”, ka deklaruar Wiegand.

I pyetur për PTK-në dhe privatizimin e saj, Wiegand ka thënë se, nëse kjo nuk ndodh vështirë se do të ndërtohet autostrada që lidh Prishtinën me Maqedoninë.

“Ka plane emergjence në buxhet që parashikojnë reduktime në disa shpenzime. Në rast se nuk shitet PTK-ja në mënyrë specifike, alokimet në rrugën 6 janë të lidhura me një nivel të bilancit bankar. Pra, rruga për në Shkup dhe ky bilanc bankar mund të arrihen vetëm nëse privatizohet PTK-ja. Mendoj se qeveria ka marrë masat në rast se nuk shitet PTK-ja, në mënyrë që buxheti të jetë në rrugën e duhur”, ka thënë Wiegand.

I pyetur për zgjedhjen e ish-ministrit të Financave, Bedri Hamza si guvernatori i BQK-së, zyrtari i FMN-së ka thënë se brenga për zgjedhjen e ish-ministrit në këtë post është e mirë sepse Banka Qendrore është e pavarur. “Por mendoj se nuk duhet paragjykuar sepse nuk është personi i parë që ka lëvizur nga një strukturë politike në guvernator”, ka thënë ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA