Ceremonia e inaugurimit të Papës

18/03/2013 00:10

Ceremonia e fillimit të Papatit është një prej riteve më sygjestive.

Gjatë kësaj ceremonie, që fillon pasi Papa bën një shëtitje në shesh, mes besimtarëve, për t’i përshëndetur ata nga afër, atij i dorëzohet unaza, e ashtuquajtura ‘unaza e peshkatarit’ dhe bëhet e njohur stema e tij.

Sipas traditës, unaza e peshkatarit, e cila përdoret edhe si vulë nga Shënjtëria e tij, është prej ari dhe kur një Papë vdes, ose jep dorëheqjen si në rastin e fundit të Benediktit të 16-të, unaza thyhet.

Papa Françesku ka bërë një zgjedhje të papritur. Pas kryqit prej hekuri që mban në qafë, Ati i Shenjtë ka bërë të ditur se në dorën e majtë do të mbajë një unazë jo prej ari, por prej argjendi të larë me ar, dhe në të do të jetë gdhendur Shën Pjetri me çelësat.

Është vepër e një skulptori të njohur, Enrico Manfrini, i cili ka vdekur në vitin 2004, por që e kishte lënë këtë model unaze pranë mjeshtrit për celebrimet liturgjike të Vatikanit.

Për sa i përket stemës, Papa Bergoglio ka vendosur të mbajë atë që kishte, kur ishte kryeipeshkv. Në të lexohet “Miserando atque eligendo”, që në shqip do të thotë “E pa me mëshirë dhe e zgjodhi”, frazë e marrë nga ungjilli i Mateos, kur flet për takimin e Jezu Krishtit me Mateon.

Si unaza, ashtu edhe stema do t’i dorëzohen Papës nga kardinali Angelo Sodano, në pjesën e parë të ceremonisë, që do të zhvillohet përpara meshës. Përpara se të linte misionin e tij, Benedikti i 16-të ka ndryshuar pak këtë rit.

Më parë dorëzimi i unazës dhe i simbolit bënin pjesë në të njëjtën meshë, ndërsa tani dy ceremonitë janë të ndara.

Top Channel