Argjentina, ndihmë Papës për Falklands

18/03/2013 21:30

Presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner, kërkoi ndërhyrjen e Papës për të zgjidhur konfliktin me Britaninë e Madhe për sovranitetin e ishujve Falklands.

Në një vizitë në Vatikan, Fernandez kërkoi nga shenjtëria e tij, Françesku i Parë, që të promovojë dialogun midis të dy shteteve.

I zgjedhur Papë si pasuesi i Benediktit XVI të dorëhequr, i pari Papë argjentinas do të nisë zyrtarisht detyrën në një meshë publike ditën e martë.

Gjatë kohës së tij si kardinal, Jorge Bergoglio, emri i vërtetë i Françesikut, mbrojti të drejtën e vendit të tij për të pretenduar këtë territor, që ndonëse britanik, shtrihet mijëra kilometra nga ishujt e Britanisë dhe vetëm 300 kilometra nga bregdeti argjentinas.

Më parë gjatë marsit, një referendum mes banorëve të Falklands, tregoi se me 99%, ata dëshirojnë që të mbeten pjesë e Britanisë së Madhe.

Presidentja De Kirchner hodhi poshtë këtë referendum, të konsideruar sipas saj si të paligjshëm.

Argjentina pretendon ishujt e njohura prej saj si Malvinas mbi baza historike. Shteti amerikanojugor fitoi pavarësinë nga Spanja në vitin 1810, me Falklands si pjesë e tij, por Perandoria Britanike pushtoi territorin në vitin 1829 dhe që prej atëherë mbetet pjesë e Britanisë.

Top Channel