Pas gjuhës së ashpër, që kryeministri Nikolla Gruevski ka përdorur kundër kandidatëve shqiptarë për Strugën dhe Kërçovën, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje, që funksionarët e lartë të vendit të tregojnë më tepër kujdes me fjalimet nëpër mitingjet elektorale.

“Funksionarët e lartë të shtetit dhe politikanët mbajnë përgjegjësi të madhe, për atë se çka flasin para qytetarëve, gjatë kohës së zgjedhjeve. Fjala e udhëheqësve të shtetit matet me peshoren e ilaçeve të farmacive, e jo me peshoren e mullirit”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ndërkohë, nga një tubim elektoral në Zhelina të Tetovës, kreu i partisë opozitare PDSH, Menduh Thaçi, ftoi gjithë shqiptarët të dalin në votime më 24 mars, për ta delegjitimuar politikën e kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe liderit të partisë shqiptare në pushtet BDI, Ali Ahmeti.

“Pasi Gruevski i thirri mbrëmë krejt maqedonasit, që të çohen në këmbë dhe të votojnë, unë u bëj ftesë të gjithë shqiptarëve, që të çohen në këmbë dhe të votojnë kundër Gruevskit dhe Ali Ahmetit. Ne, për fat të keq, fillimisht duhet t’i largojmë këto shqiptarë, që thonë se neve na përfaqësojnë, dhe pastaj të merremi me Gruevskin e Cërvenkovskin”, u shpreh Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Kryeministri Gruevski, gjatë tubimeve elektorale në Strugë dhe Kërçovë, ka bërë thirrje, që maqedonasit të dalin në votime, për të pamundësuar drejtimin e këtyre komunave nga kandidatitët shqiptarë.

Retorikë të ngjajshme me Gruevskin ka përdorur edhe deputeti i opozitës maqedonase, Igor Ivanovski, i cili tha se partitë maqedonase do ta mbrojnë Strugën nga koalicionet radikale.

Top Channel