Andrea Stefani – Që nga viti 2010, Shkodra dhe Nënshkodra janë përmbytur thuajse rregullisht.
Dhe pothuajse rregullisht, kryeministri Berisha dhe ministrat e tij janë angazhuar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë më. Mijëra hektarë tokë janë përmbytur, njerëzit kanë humbur prodhimin, bagëtinë. Mijëra shtëpi janë përmbytur, orenditë janë kalbur dhe njerëzit kanë humbur mundin e një jete. U është premtuar rregullisht se do kompensohen për dëmet, por mësojmë se disa nuk kanë marrë ende kompensimin e dëmeve për vitin 2010. Si është e mundur që qeveria e Sali Berishës të tregohet kaq e papërgjegjshme me Shkodrën që e ka votuar rregullisht? Si është e mundur t’i mashtrojë shkodranët kaq rregullisht? Përgjigjja është fare e thjeshtë: Pikërisht sepse e kanë votuar mbi 20 vjet rregullisht!
Sali Berisha u mburr dikur se gërdecarët e votuan atë në shumicë, pikërisht pasi kish ndodhur tragjedia e Gërdecit. Ai vazhdon të mburret se shkodranët do ta votojnë edhe pse i ka lënë në mëshirë të qiellit, ata, fëmijët dhe pronat e tyre. Berisha përpiqet të shfrytëzojë pa skrupull dhe në funksion të qëndrimit pafund në pushtet, një tipar primitiv që jo pak shqiptarë trashëgojnë nga komunizmi: besën e dhënë partisë dhe udhëheqësit. Ai vazhdon të shfrytëzojë për keq faktin që jo pak shqiptarë nuk e kanë kuptuar akoma se, për dallim nga komunizmi, demokracia është shansi për të votuar jo vetëm një parti dhe se vota që hedhin një herë në katër vjet, është investimi që ata bëjnë për cilësinë e jetës së tyre dhe fëmijëve të tyre. Berisha shfrytëzon djallëzisht faktin që jo pak shqiptarë nuk e kanë kuptuar se kur qeveritë nuk ndërrohen, rrezikohet jo vetëm demokracia por edhe ajo që ka të bëjë direkt me jetët e tyre, edhe me kanalet kulluese, hidrovorët, digat, përmbytjet, rrezikohet cilësia e qeverisjes. Sepse vetëm rotacioni i shpeshtë i mban qeveritë në gjendjen e konkurrencës, në gjendjen e tensionit të humbjes së pushtetit në zgjedhjet e ardhshme. Por kur një publik garanton se do votojë përherë një parti dhe një lider (siç ndodh me shumicën e shkodranëve) dhe se nuk do t’ia japë votën kurrë opozitës, duke e përjashtuar nga qeverisja, ai godet interesat e veta. Sepse duke shkurajuar ata që përjashton, shkatërron dhe aftësinë qeverisëse të atyre që favorizon. Qeverisja kalbet, cilësia dhe efektiviteti i saj bie, siç ndodh me gjithçka që e lënë jashtë rrjedhës së konkurrencës, zhytet përditë më thellë në kënetën e monopolit, të fitores e fitimit të sigurt.
Dhe në llumin e papërgjegjshmërisë. Papërgjegjshmëria është rrjedhojë e pashmangshme e monopolizimit të qeverisjes. Kush ndihet i sigurt se do qeverisë pafundësisht, nuk mund të mos bëhet i papërgjegjshëm. Mësimi? Mos voto përherë një qeveri, lider apo parti. Aq më tepër kur ato kanë qeverisur dy mandate. Xhorxh Uashingtoni dhe ata që themeluan demokracinë në SHBA, patën një arsye madhore kur garantuan me Kushtetutë rotacionin, duke vendosur që një president (që në Shqipëri korrespondon me kryeministrin), të mos qeverisë më shumë se dy mandate. Dhe që pas dy mandatesh Berisha dhe qeverisja e tij është bërë e papërgjegjshme për fatet, pronën dhe jetën e njerëzve që kanë nja 23 vjet që e votojnë është evidente. Ndryshe Shkodra nuk do qe përmbytur më. Dhe që një gjë e tillë ka qenë e mundur faktohet nga vetë premtimet e qeverisë, të ministrit Ruli, si edhe nga miliardat e investuara prej saj në rehabilitimin e argjinaturave apo të rrjeteve kulluese. Po Shkodra u përmbyt prapë edhe prapë. Pse? Përgjigjja është: papërgjegjshmëria për jetën e qytetarëve e cila çon në korrupsion, në vjedhjen e shpërdorimin e fondeve publike. Shkodra përmbytet se qeverisja e sigurt që Shkodra e voton, nuk ndihet e përgjegjshme ndaj shkodranëve. Madje papërgjegjshmëria ka arritur deri aty sa qeveria, gradualisht, të shkurtojë edhe fondet e dedikuara për investime kundër përmbytjeve. Qytetarët janë të parët! – bërtet tribunave Berisha. Por nuk rezulton kështu kur është fjala për të investuar mjaftueshëm që fëmijët, shtëpitë, toka apo bagëtitë e qytetarëve të mos përmbyten nga lumenjtë nga Shkodra e gjer në Vlorë. Logjika e Berishës është e lexueshme: Kur jam i sigurt se më votojnë përse të investoj për ta? Sepse përgjithësisht politikanët preokupohen vetëm kur ndiejnë se u rrezikohen votat dhe bashkë me to, edhe kolltuku. Prandaj disa shkodranë dhe nënshkodras, duhet të mësojnë se duke votuar përherë qeverinë Berisha, nuk mund të mos përmbyten nga qeveria Berisha. Dikush, madje edhe mes shkodranëve të përmbytur, mund të thotë se nuk është faji i qeverisë por i Zotit. Kështu është justifikuar dikur edhe Berisha. Por kam frikë se një përqasje e tillë do ta nxirrte Zotin, padrejtësisht, të papërgjegjshëm duke i hedhur në shpinë fajet e Cezarit. Aq më tepër kur Zoti thotë ruaju të të ruaj. Dhe Zoti nuk ka aspak faj kur t’i vazhdon të votosh dhe nuk përmbys me votë që qeveri që vazhdon të të përmbysë.
Top Channel