Kryetari dhe kryesia e degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Rahovec, ku qeveris ky subjekt politik, ka kaluar në Partinë Demokratike të Kosovës.

Kjo është bërë e ditur gjatë së dielës, ku në konferencë për media është paraqitur nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, dhe disa nga ish-anëtarët e AAK-së.

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se bëhet fjalë për njerëz me vlera të fuqishme atdhetare, politike e profesionale. Për më tepër, sipas tij, kjo tregon se PDK është parti e shpresës dhe optizmit për të ardhmen.

Ndërkaq, kryetari i deritanishëm i degës së AAK-së në Rahovec, Feim Fetoshi, tha se kanë vendosur t’i bashkohen PDK-së, pasi kjo parti ka treguar se di të qeverisë më mirë vendin.

Fetoshi ka akuzuar kryetarin aktual të komunës së Rahovecit për shantazh, linçime dhe përjashtime, në vend që të merret me programin zgjedhor. Këto akuza janë hedhur poshtë nga Smajl Lartifi, i cili i ka quajtur të pabaza.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar përmes një komunikate për media, ku thuhet se këta persona u larguan për shkak të pakënaqësive me pozicionimin e tyre gjatë proçesit të brendshëm zgjedhor, ndërsa i ka falënderuar për angazhimin dhe punën e bërë deri më tani në radhët e AAK-së.

Sidoqoftë, pas këtij aktiviteti, nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj ka thënë se me AAK-në do të vazhdojnë të kultivojnë partneritetin strategjik në çështjet me interes nacional.

Top Channel