Një draft-marrëveshje prej 10 pikash, e publikuar nga mediat serbe, është një dokument i pavlerë, që nuk ekziston dhe që nuk është dorëzuar as në Bruksel e Prishtinë, por as në Beograd.
Ky është reagimi, që nga ardhur nga qeveria e Kosovës, nëpërmjet shefit të diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, i cili ka shtuar se ky dokument nuk mund të shihet si një qëndrim zyrtar i baroneshës Ashton karshi dialogut.
Në draft-marrëveshjen e publikuar nga mediat serbe thuhet se, Bashkimi Europian dhe Prishtina propozojnë që në veri, serbëve t’u lejohet formimi i Rajonit Europian – Veriu i Kosovës, në vend të Asociacionit të Komunave, që kërkon Beogradi.
Ky rajon, po sipas mediave serbe, do të ketë një pjesë të përgjegjësive, madje edhe një Gjykatë të Apelit, por i tërë rajoni do të inkorporohet plotësisht në institucionet e Kosovës.
“Një marrëveshje dhe një dokument i tillë nuk ekziston. Nuk është dorëzuar asnjëherë, as në Prishtinë. Nuk është dorëzuar asnjëherë, as në Beograd. Kështu që, ai dokument duhet të shihet si një dokument i pavlerë dhe jo si qëndrim zyrtar i baroneshës Ashton, i Bashkimit Europian, karshi dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, tha Enver Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj nuk ka dashur të komentojë përmbajtjen e këtij drafti, pasi, siç ka thënë ai, nuk është i thirrur për të analizuar dhe të përshkruar situata, të cilat nuk ekzistojnë.
Po për këtë çështje ka folur edhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë, të dielën, se nuk ka marrëveshje, por zgjidhje brenda Kushtetutës dhe se, për elementet që janë përmendur nga mediat serbe, as që bëhet fjalë.
“Ajo që ne e dimë është se nuk ka një marrëveshje të tillë, por ka zgjidhje brenda kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Kuptohet që Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës janë në koordinim ose në harmoni me standardet europiane, por nuk ka zgjidhje as me emër të tillë, as me definicione të tilla çfarë po flitet. Në fakt, për elementet që i dëgjova, unë nuk bëhet fjalë”, tha Ramush Haradinaj.
Sidoqoftë, takimi i 7-të ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me atë serb Daçiç, pritet të zhvillohet në Bruksel, më 20 mars.
Top Channel