Policia informon se mund të jetë afër zbulimit të së vërtetës së zhdukjes së djalit 11-vjeçar të nëndrejtorit të antiterrorit të SHISH, Julian Çelës, që rezulton i zhdukur që prej 30 nëntorit të vitit të shkuar.

Pas arrestimit të një 45-vjeçari, i dyshuar si pedofil, policia mendon se ai është përgjegjës edhe për zhdukjen e minorenit. Nën akuzën e rrëmbimit dhe ngacmimit seksual, policia arrestoi mesditën e së dielës Ardian Prrenjasin.

45-vjeçari mbante 10-vjeçarin e rrëmbyer një ditë më parë, me dhunë në apartamentin e tij, ndërkohë që në momentin e hyrjes në banesë të policisë është gjetur me thikë në dorë.

Sipas të dhënave paraprake me 10-vjeçarin e rrëmbyer, ai kishte ushtruar dhunë. Fëmija u gjet në një gjendje të rënduar dhe u dërgua në spital.

Prrenjasi rezulton të ketë qenë person me precedentë të mëparshëm penalë, në abuzim me të mitur, por askush nuk e njihte në Laprakë, ku ishte vendosur prej disa muajsh për të banuar me qira.

Ai punonte si shofer në ndërmarrjen e pastrim-gjelbërimit në Tiranë. Gjatë marrjes në pyetje, oficerët e policisë kriminale e kanë pyetur edhe për rrëmbimin e Julian Çelës, pasi rezultonte të ishte zhdukur në të njëjtën lagje.

Vetë Prrenjasi e ka pranuar se ka gisht në zhdukjen e 11-vjeçarit, pranon edhe ta ketë vrarë atë, por nuk bën të ditur asnjë të dhënë tjetër për vendin, ku mund ta ketë varrosur fëmijën.

Pjesa më e madhe e krerëve të policisë shqiptare ndodhen në komisariatin numër 3, ku ndodhet edhe i arrestuari, i cili po merret në pyetje sistematike deri në momentin, që do të rrëfejë edhe për vendin e mundshëm, ku mund ta ketë vendosur fëmijën, nëse vërtet rezulton ta ketë vrarë atë, ashtu edhe siç pretendohet nga rrëfimi i tij i parë në polici.

Top Channel