Romney rikthehet, bën thirrje për optimizëm

16/03/2013 03:05

Ish-kandidati republikan për president të SHBA-ve, Mitt Romney, ka nxitur republikanët të jenë optimistë, në fjalimin e parë të tij të rëndësishëm, që prej humbjes së zgjedhjeve vitin e kaluar.

Duke folur në konferencën e aktivistëve dhe politikanëve konservativë, Romney tha se pesimizmi mes republikanëve është bërë “i modës”. “E refuzoj krejtësisht pesimizmin, ne nuk e kemi humbur rrugën tonë”, tha ai.

Që kur humbi ndaj Barack Obama-s në nëntorin e kaluar, Romney ka ruajtur një profil të ulët në arenën politike. Ai ka dalë rrallë nëpër media dhe nuk ishte prezent në inaugurimin e Obama-s në janar.

Fjalimi i tij në CPAC (Konferenca e Veprimit të Politikave Konservative) është i dallueshëm, saqë shumë prej aktivistëve të bazës ishin skeptikë për kredencialet e tij konservative në prag të zgjedhjeve presidenciale.

Disa delegatë thanë se Romney humbi, sepse nuk ishte mjaftueshëm konservativ. Pavarësisht kësaj, ai u prit ngrohtësisht nga delegatët, të cilët e nderuan me një “standing ovation”.

“Si dikush që humbi zgjedhjet e fundit, mbase unë s’jam personi i duhur për të hartuar kursin për zgjedhjet e ardhshme”, tha ai. “Më vjen keq që nuk munda të jem presidenti juaj, por do të jem bashkëpunëtori juaj dhe do të qëndroj krah për krah me ju”.

Zgjedhjet afatmesme do të mbahen në 2014, ndërsa disa aktivistë janë me mendjen te zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Pas humbjes së vitit të kaluar, drejtimi i ardhshëm i partisë republikane do të merret në shqyrtim.

Top Channel