
Të paktën njëmbëdhjetë nxënës të gjimnazit “Hamzë Jashari” në Skenderaj,
janë helmuar të premten pasdite nga një lëndë e dyshimtë, e cila
besohet se ishte hedhur në klasën e tyre.
Nëntë vajza dhe dy djem, të cilëve u ishte vështirësuar frymëmarrja janë dërguar në spitalin e Skënderajit. Mjekët të cilët i kanë trajtuar të helmuarit kanë thënë se në Qendrën Emergjente u erdhën 6 nëxënë në gjendje më të rënduar se të tjerët.
Pesë prej këtyre nxënësve në gjendje më të rëndë janë transportuar për në Qendrën Emergjente të QKUK-së në Prishtinë.
Sipas agjencisë “Kosovapress”, mjekët ende nuk i dinë shkaqet e helmimit, simptomat e para të të cilit nxënësit i kanë pasur gjatë proçesit mësimor në shkollën e tyre.
Avdush Bajgora, mjek në Qendrën Emergjente të QKUK, thotë se fëmijët u sollën rreth orës 16 me simptoma si dhimbje koke, skuqje e syve e djegie të fytit.
“Pacientët janë reanimuar dhe u është dhënë terapia adekuate. Atyre u janë bërë analizat bazë dhe hemogrami. Fatkeqësisht ne në Kosovë nuk disponojmë laborator të toksikologjisë, i cili do t’i eliminonte të gjitha dyshimet për natyrën e intoksikimit të fëmijëve që janë sjellë këtu”, tha ai.
Saranda Hoti, njëra nga nxënëset e helmuara, tha për “Kosovapress” se ishte në orën e mësimit kur ka ndodhur rasti. Ajo dyshon se është hedhur ndonjë lëndë në klasë.
Policia shkoi në vendin e ngjarjes, mori deklaratat e disa nxënësve dhe të drejtuesve të shkollës, dhe nisi hetimet. Sido që të jetë, ende nuk është vërtetuar zyrtarisht se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në gjimnazin “Hamëz Jashari”, në Skenderaj.
Top Channel