
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga vizitoi komunën e Skënderajt dhe Klinës të goditura nga vërshimet ditëve të fundit. Ajo shprehu ngushëllimet për familjen Osmani për humbjen e vajzës 8-vjecare në ujërat e rrëmbyeshëm në Skënderaj.
“Fatkeqësitë natyrore janë raste të pashmangshme, të papritura dhe janë gjithsesi edhe më të rënda kur përcillen me fatkeqësi, siç është rasti i Izbicës ku kemi rastin e humbjes së jetës së një vajze. I shprehim ngushëllimet e thella familjes dhe të gjithë banorëve të fshatit Izbicë. Këto janë raste kur ne si institucione, por edhe si qytetarë duhet të tregojmë solidaritetin tonë, t’u gjendemi afër dhe të ofrojmë gjithë përkrahjen”, tha Presidentja Jahjaga.
Zyra e shtypit e presidentes Jahjaga njoftoi se presidentja vizitoi edhe komunën e Klinës, si dhe zonën e quajtur Rakovinë ku pa nga afër dëmtimin e urës. Presidentja Jahjaga tha se vizita e saj ka për qëllim njoftimin me gjendjen e krijuar pas vërshimeve në komunën e Skendërajt dhe të Klinës.
Top Channel