
Moti i keq me reshje dëbore në Maqedoni ka bërë që autoritetet lokale të
ndërpresin punën në krahun e tyre të doganës së Qafë Thanës.
Sipas informacioneve të fundit, pala maqedonase e ka argumentuar ndërprerjen e punës me pretendimin për të shmangur aksidentet rrugore.
Mësohet se rifillimi i punës në pikën doganore të Qafë Thanës do të njoftohet nga vetë autoritetet maqedonase.
Moti i keq ka paralizuar trafikun rrugor në rajon. Deri dje, qindra persona rezultonin të bllokuar në rrugët e Hungarisë në drejtim të Serbisë dhe Kroacisë, për shkak të reshjeve të borës.
Kolona të gjata prej disa kilometrash u krijuan në akset rrugore dhe askush nuk mundi të lëvizte për orë të tëra, përfshirë udhëtarët e disa autobusëve të linjave të rregullta dhe studentëve nga Kroacia.
Siç raportuan udhëtarët, bëhej falë për qindra automjete dhe autobusë që kishin ngelur të bllokuar prej më shumë se 15 orësh, ndërkohë që mëngjesin e së premtes ekipet emergjente u nisën në drejtim të autostradës hungareze.
Sipas disa informacioneve, në rrugët ndërkombëtare që lidhin rajonin me Evropën perëndimore kanë ndodhur qindra aksidente.
Ndërkaq, në Hungari, ku është kriza më e thellë, kishin mbetur në kolona 1038 persona, tek të cilët ndihmat arritën me vonesë. Autoritetet e shteteve të ndryshme apeluan që të mos udhëtohet në këtë drejtim.
Top Channel