Siria: Gati të sulmojmë Libanin

15/03/2013 04:00

Siria paralajmëron Bejrutin, nëse vazhdojnë infiltrimet “terroriste”, Damasku është gati të godasë territorin libanez.

“Në 36 orët e fundit, një numër i madh terroristësh të armatosur ka hyrë në territorin sirian nga Libani”, lexohet në një shënim të ministrit të Jashtëm të Damaskut. Ndërkohë, në zemër të kryeqytetit sirian vazhdojnë përplasjet e dhunshme mes rebelëve dhe forcave qeveritare.

Në disa zhvillime të tjera, fuqitë e mëdha e veçanërisht vendet e Bashkimit Europian janë duke diskutuar mbi heqjen e embargos së armëve drejt Sirisë, gjë të cilën disa shtete e mbështesin dhe disa të tjerë e kundërshtojnë.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka bërë thirrje për heqjen e embargos nga BE-ja, në mënyrë që të furnizohen forcat anti-qeveritare.

“Ne jemi gati të mbështesim rebelët, pra jemi gati të shkojmë kaq larg”, tha ai. Ai tha për reporterët se Franca dhe Britania janë dakord në lidhje me këtë çështje, por disa vende të tjera kërkojnë ende kohë për t’u bindur.

Rusia, e cila nuk është anëtare e BE-ë, është një nga aleatet kryesore të Sirisë, ndaj dhe ka kundërshtuar me forcë armatosjen e opozitës siriane.

Hollande foli në Bruksel të enjten, përpara takimit me liderët e BE-së. Siria nuk është ende një çështje formale në axhëndën e samitit, por një zyrtar britanik tha se Hollande dhe kryeministri britanik, David Cameron, mund të shtojnë konfliktin me liderët e tjerë të premten, kur të shënohet 2-vjetori i nisjes së tensioneve në Siri.

Top Channel