Gara zgjedhore për Strugën ka bërë bashkë dy partitë rivale maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM, të cilat janë bashkuar rreth kanidaturës së Vlladimir Koçovskit për këtë qytet.

Por, këtë shembull nuk e kanë ndjekur edhe partitë shqiptare që do të garojnë me dy kandidatë. Bashkimi Demorkatik për Integrim për Strugën ka kandiduar Arben Labenishti, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare, Zijadin Selën.

Dy kandidatët shqiptarë janë të bindur  se maqedonasit nuk mund ta fitojnë këtë garë. Nëse fituesi i garës për Strugën do të vendoset në raundin e dytë zgjedhor, kandidati shqiptar që do të marrë më pak vota në raundin e parë pritet të mbështesë rivalin e tij përballë kandidatit maqedonas.

“Unë them që ata nuk mund ta fitojnë Strugën në raundin e parë, por sidoqoftë do të bëj një apel tek popullata jonë, që ditën e votimit të dalë dhe të votojë për kandidatët shqiptarë dhe do të doja që mërgimtarët tanë që munden të vijnë dhe të votojnë më 24 mars. Kush do që të kalojë në raundin e dytë, unë do të desha, dhe besoj që ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë, të votojë për kandidatin shqiptar në raundin e dytë. Ne duhet ta fitojmë Strugën dhe besoj që do ta fitojmë”, ka deklaruar Labenishti.

“Unë kundërkandidatit tim i kam dhënë një ofertë të tillë para një muaji. Ato, atëherë nuk u prononcuan, por prononcohen tani kur dihet që në raundin e dytë do të dalë një shqiptar dhe një maqedonas dhe tani për këtë nuk kanë nevojë për deklarata politike, sepse qytetarët e dinë vetë. Ata do të votojnë ashtu siç ndihen. Shqiptarët është normale të votojnë për shqiptarin. Oponentët e mi politikë janë kontradiktorë, ata thirren në votë shqiptare dhe nga ana tjetër kanë koalicion të përzierë me një parti politike, që lufton për torbeshizëm dhe kundër paraleleve në gjuhën shqipe në fshatin Podgorcë dhe gjithandej”, tha nga ana tjetër kandidati Sela.

Fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 24 marsit ka tejkaluar karakterin lokal. Kryeministri Nikolla Gruevski, gjatë tubimeve elekotarale në Strugë dhe Kërçovë, ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj kandidatëve shqiptarë për këto dy qytete. Ai tha se kjo është një garë historike për maqedonasit, të cilët ditën e votimeve duhet të tregojnë se të kujt janë Struga dhe Kërçova.

“Këtyre ditëve, njëri nga kandidatët për kryetar të Kërçovës po deklaron se pse dëshirojnë që të marrin edhe Strugën edhe Kërçovën dhe komunat tjera. Duhet të dëshmojmë dhe t’i tregojmë edhe atij dhe gjithë të tjerëve që mendojnë si ai, se kjo është Maqedoni, se Struga është Maqedoni, se Kërçova është Maqedoni dhe Maqedoni do të mbetet”, deklaroi Gruevski.

Në Strugë, maqedonasit janë dakorduar që të dalin me një listë të përbashkët edhe për Këshillin Komunal, ndërsa shqiptarët do të garojnë me katër lista. Në rast, se shumicën në Këshillin Komunal e fitojnë maqedonasit, kandidatët shqiptarë që presin të fitojnë Strugën do të përballen me pengesa të shumta gjatë realizmit të platëformës parazgjedhore. Kjo për shkak se, Këshilli Komunal është institucion i cili miraton projekte dhe propozime strategjike të komunës dhe mund ta pengojë realizmin e projekteve të kryetarit.

Top Channel