Pushojnë reshjet, përmirësohet situata

15/03/2013 00:00

Pakësimi i rëshjeve të shiut në gjithë territorin e vendit ka ndikuar në përmirësimin e situatës në zonat e përmbytura në veri të vendit, ndërsa në jug, situata mbetet kritike në disa zona të Vlorës dhe Fierit.

Ministria e Brendshme raportoi në mbrëmje për situatën më të fundit në zonat e përmbytura. Ministria e Brendshme thotë se sipërfaqja e mbuluar nga uji është reduktuar ndjeshëm në rrethin e Shkodrës, megjithatë nën pushtetin e tij mbeten rreth 2 mijë hektarë dhe 60 shtëpi.

Situata vazhdon të mbetet problematike në Bahçallëk, Ajasëm, Ana e Malit, Bërdicë, Dajç dhe Guri i Zi ku në total janë zhvendosur 120 familje që janë strehuar tek të afërmit e tyre. Uji në Harkun e Bërdicës është larguar dhe Ministria e Brendshme thotë se rruga është krejtësisht e kalueshme në këtë pjesë.

Në Dajç

Një nga zonat më problematike të Dajçit është fshati Shirq. Kjo zonë  ka  marrë pamjen e  një liqeni, ndërsa banesat e rrethuara nga uji janë kthyer në ishuj. Varkat tashmë  janë    e vetmja mënyrë komunikimi në rrugët brenda fshatit.

Banorët  ndihen të kërcenuar nga uji që rrezikon të hyjë në banesa, ndërsa shumë prej tyre kanë  nxjerrë familjarët nga shtëpitë  dhe po qëndrojnë për të ruajtur banesat nga frika se mos vidhen. Gjithashtu banorët në këto anë raportojnë për dëme serioze në të mbjella.

“Ka 24 orë që nuk ka ardhur njeri të na shohë, ka 4 muaj që kemi bërë kërkesë me shkrim në këshill komune për të ndërtuar valvulat, i kemi shkuar disa herë kryetarit të komunës, as është shqetrësua fare,. Nuk e di si do të mbajë qeveria ne tani”, thotë një banor i fshatit Shirq.

Banorët thonë se askush nuk i ka njoftuar ata për hapjen e portave në hidrocentralin e Vaut të Dejës.

Ndërkohë një shqetësim për 9 mijë  banorët e komunës Dajç është dhe rruga kryesore e kësaj komune që e lidh  me Shkodrën ku  prurjet e lumit Buna nga hapja e portave të hidrocentralit e kanë bërë këtë rrugë të pakalueshme për vetura dhe furgonë.

Hapja e portave të Vaut të Dejës

Ministri Energjitikes Edmond Haxhinasto pas përmbytjeve të ndodhura në Nënshkodër ka inspektuar situatën në Hidrocentralin e Vaut të Dejës.

Ministri është shprehur se shkarkimet janë bërë sipas protokolleve të miratuara dhe se për cdo veprim po shikohet në radhë të parë siguria e qytetarve.

I pyetur në lidhje se nëse janë lajmëruar banorët e Nënshkodrës për hapjen e portave ministri është shprehu se Shtabet e Emergjencës kanë bërë dhe po bëjnë të gjitha detyrat.

“Përpjekjet do të vazhdojnë të jenë maksimale edhe në të ardhmen me qëllim që gjithcka që realizohet të jetë në përputhje me protokollet dhe të bashkëpunojmë me institucionet e tjera të cilat amortizojnë pasojat e qytetarëve që jetojnë në zonën poshtë hidrocentralit, me qëllim që efektet e kohës së lagshme të jenë minimale. Të gjithë institucionet që po merren me këtë cështje ndodhen sot në Shkodër dhe grupi i emergjencës sigurisht ka bërë detyrën që i takon”, tha zoti Haxhinasto.

Vjosa po përmbyt

Përmirësim i situatës raportohet në Qarkun e Lezhës ku lumi Mat ka ulur prurjet, ndërkohë që sipërfaqjet e përmbytura janë reduktuar ndjeshëm.

Në rrethin e Vlorës situata e rënduar mbetet veçanërisht në fshatrat Fitore, Trevllazën dhe Novosëlë, ndërsa Vjosa ka çarë digën mbrojtëse në Grykë-Pishë dhe rreth 130 hektarë tokë raportohen të përmbytura.

Prurjet e Vjosës po pakësohen ndjeshëm dhe niveli i ujit në Urën e Mifolit ka rënë disa metra. Nën ujë janë 145 hektarë tokë në Hekal, Kutë, Frakull dhe Cakran, ndërsa 30 familje që banonin në afërsi të bregut të lumit janë zhvendosur. Problematike është situata nga prurjet e lumit Seman. Uji është në kuota maksimale tek Ura e Mbrostarit.

Ndërkohë, në rrethin e Durrësit situata është drejt normalizimit total. 20 familje janë zhvendosur në Katund të Ri të Sukthit, ndërsa në Korçë 70 hektarë tokë janë nën ujë në Pirg dhe Libonik.

Top Channel