Familja Osmani, nga fshati Izbicë e Komunës së Skënderajt, të premten hapi derën për ngushëllime.

Vajza e tyre 8-vjeçare Gresa Osmani humbi jetën tragjikisht në këtë përrua, që të enjten pasdite ishte vërshuar nga uji, pas reshjeve të mëdha të shiut.

Xhaxhai i saj Ademi rrëfen se 8-vjeçarja po kthehej nga shkolla, së bashku me një shoqe, e cila po ashtu ishte në rrezik të mbytej.

Të premten, edhe dyert e shkollës fillore, ku Gresa ishte nxënëse e klasës së tretë, ishin të mbyllura.

Vërshimet nga uji pas reshjeve të shiut, ditëve të fundit kanë shkaktuar probleme të mëdha edhe në pjesë të tjera të Kosovës.

Banorët shpjegojnë se lumi Drini i Bardhë doli nga shtrati dhe vërshoi rreth 40 shtëpi, mesnatën e së enjtes.

Për evakuimin e banorëve të këtyre shtëpive të përmbytura, përveç ndihmës nga banorët e tjerë të fshatit, u desh edhe ndërhyrja e FSK-së, policisë së Kosovës, zjarrëfikësve dhe Agjencionit të Emergjencave.

10 kilometra më tutje, Policia e Kosovës ndaloi qarkullimin e automjeteve mbi urën në fshatin Rakovinë të Rahovecit, e cila gjendet në rrugën mes Pejës dhe Gjakovës, për shkak se është dëmtuar dhe mund të përbëjë rrezik. Udhëtarët duhet të marrin rrugë të tjera edhe më të largëta për të shkuar në Gjakovë.

Në qytetin tjetër të Rrafshit të Dukagjinit, në Pejë, të premten, qendra e këtij qyteti ishte zbrazur nga uji, që e kishte vërshuar të enjten për orë të tëra.

Ndërkohë, edhe në vende të tjera lumenjtë kanë dalë nga shtrati i tyre, sikurse lumi “Drenica” në Drenas, që ka përmbytur pjesë të mëdha të tokës bujqësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA