Obama: Irani me armë bërthamore brenda 1 viti

15/03/2013 03:25

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë për një televizion izraelit se Iranit mund t’i duhet rreth 1 vit për të ndërtuar një armë bërthamore.

Në intervistën e tij, ai tha se nuk dëshiron “ta afrojë këtë afat kohor”, duke refuzuar të përjashtojë mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake.

Programi bërthamor i Iranit pritet të jetë në krye të axhendës, kur Obama të vizitojë Izraelin në fund të këtij muaji. Teherani këmbëngul se po pasuron uraniumin vetëm për qëllime paqësore dhe energjitike.

Por Izraeli ka kërcënuar vazhdimisht me sulme ushtarake, nëse Irani do të gjendet pranë krijimit të një bombe bërthamore. Washington-i synon të gjejë më shumë kohë për të lejuar diplomacinë dhe sanksionet ekonomike të shfaqin ndikimin e tyre.

“Mendojmë se do të duhet rreth 1 vit për Iranin, në mënyrë që të zhvillojë një armë bërthamore, por sigurisht që nuk duam ta afrojmë shumë distancën kohore”, tha Obama. “Mesazhi im për Netanyahu-n është i njëjti si gjithmonë: nëse do të mund ta zgjidhim këtë cështje me diplomaci, kjo është një zgjidhje afatgjatë. Por nëse nuk mundemi, vazhdoj t’i mbaj të gjitha opsionet mbi tavolinë”.

I pyetur nëse një sulm mbi vendet e pasurimit bërthamor të Iranit është një opsion real, ai tha: “Kur them që të gjitha opsionet janë mbi tavolinë, atëherë janë dhe Shtetet e Bashkuara sigurisht kanë aftësi të mëdha. Por objektivi ynë është që të sigurojmë se Irani nuk do të ndërtojë një armë bërthamore, e cila do të mund të kërcënonte Izraelin, apo mund të niste një garë armatimi në rajon. Kjo do të ishte diçka tejet e rrezikshme, në një kohë kur shumë gjëra të tjera janë duke ndodhur”.

Më 20 mars, Obama pritet të nisë udhëtimin e tij të parë drejt Izraelit, territoret palestineze dhe Jordanisë, që kur është zgjedhur president në 2008. Ai dhe Netanyahu pritet të diskutojnë gjithashtu mbi luftën në vendin fqinj, Siri, dhe përpjekjet për të rigjallëruar bisedimet për paqe me Palestinën.

Këshilli i Sigurisë në OKB ka urdhëruar Iranin të ndalojë pasurimin e uraniumit, duke hartuar katër sete sanksionesh të reja.

Top Channel