Lumi Drin rrit prurjet me 60 %   

15/03/2013 00:00

Niveli i ujit në liqenin e Fierzës vazhdon të rritet me ritme të
shpejta. Të dhënat e fundit zyrtare nga Korporata Elektroenergjetike
tregojnë se kuota e ujit në basenin e hidrocentralit më të madh në vend
ka arritur në 289.6 metra mbi nivelin e detit, ose 6.5 metër poshtë
nivelit maksimal.

Vetëm në 24 orët e fundit kuota e ujit në liqen është rritur me gati 2.5 metra për shkak të prurjeve maksimale nga reshjet e dendura. Sipas KESH krahasuar me një ditë më parë niveli i prurjeve në Fierzë është rritur me gati 60 për qind duke arritur në 1700 metër kub ujë në sekondë nga 110 metër kub që ishte mesditën e së enjtes kur u vendos dhe hapja e portave.

Në hidrocentralin e Vaut të Dejës që është dhe pika fundore e kaskadës, niveli i ujit është 75.68 metër dhe prurjet 1300 metër kub në sekondë. Nga ky hidrocentral derdhet në total 1350 metër kub ujë në sekondë, nga të cilat 550 metër janë prodhim i turbinave ndërsa pjesa tjetër shkarkim nga hapja e portave.

CEZ: Furnizimi me energji, nën kontroll

Ndërkaq kompania tjetër e sistemit të energjisë, ajo që menaxhon shpërndarjen, njoftoi se pavarësisht motit të keq situata e furnizimit me energji është nën kontroll.

Sipas CEZ, avaritë në rrjet janë riparuar në kohë rekord dhe aktualisht i gjithë vendi furnizohet normalisht me energji veç dy rasteve të izoluara në Lezhe dhe Berat, ku vërshimi i ujërave ka rrëzuar shtyllat e tensionit. Drejtuesit e CEZ bëjnë të ditur se edhe këto defekte pritet të riparohen në një kohë shumë të shpejtë. Natën e kaluar si pasojë e motit të keq disa zona të vendit mbetën pa energji elektrike për shkak të vërshimit të ujërave në nëstacionet elektrike.  

Top Channel