Arben Gjukajt i ka mbetur edhe pak kohë në detyren e drejtorit menaxhues të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Faturimi i pakontrolluar i energjisë elektrike në muajin janar, por edhe keqmenaxhimi i situatës në raport me qytetarët të cilët janë ankuar, kanë bërë që Ministria e Zhvillimit Ekonomik të kërkojë nga bordi i KEK-ut shkarkimin e tij.
Kjo u bë e ditur nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj në seancen e Kuvendit të Kosovës, në të cilën po debatohej pikërisht fryrja e faturave të energjisë në dy muajt e fundit.
Debati për problemet me faturat e energjisë është kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputetë të këtij subjekti politik akuzojnë qeverinë e Kosovës dhe e ndërlidhin këtë proçes me shitjen e distribucionit të KEK-ut në vlerën prej 26.3 milionë euro. LDK-ja kërkoi shkarkimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Beqaj, i cili mbikëqyr ndërmarrjet publike.
Nga ana tjetër kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi fajësoi sistemin tarifor të energjisë. Ky sistem me disa lloj çmimesh për konsumatorët, sipas Krasniqit, ka dhënë mundësi për keqkuptime dhe manipulime.
Debati erdhi pas disa protestave masive të qytetarëve të Kosovës, të cilët të revoltuar me çmimin e lartë të energjisë elektrike, përveç shkarkimin e drejtorit kishin kërkuar edhe shkarkimin e ministrit Beqaj.
Top Channel