Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka zhvilluar paraditen e së premtes një takim me përfaqësuesit e partive politike, në lidhje me zgjedhjet e ardhshme lokale.

Sipas raportimeve të mediave kosovare, në takim janë diskutuar afatet ligjore të parashikuara për proçesin elektoral, organizimi dhe zhvillimi i tyre.

Përfaqësuesit e partive politike shprehën qëndrimet e tyre dhe e vunë theksin tek nevoja për respektimin e afateve ligjore të proçesit.

Në takim AAK dhe Vetëvendosje përfaqësoheshin nga vetë kryetarët, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti, ndërsa LDK, PDK dhe AKR përkatësisht nga kreru i grupit parlamentar, sekretari i përgjithshëm dhe nënkryetari.

Gjithashtu, në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e partive të pakicave, si kryetari i Partisë Demokratike Turke, Mahir Jagxhillar dhe ai i Partisë Liberale Serbe, Sllobodan Petroviç.

Takimi i sotëm ishte i pari i një seri konsultimesh që presidentja Jahjaga parashikon të zhvillojë në kuadër të zgjedhjeve lokale.

Kryetarja e shtetit kosovar ka premtuar në këtë takim angazhimin e saj serioz që proçesi i zgjedhjeve të ardhshme të jetë i lirë, i ndershëm dhe sa më demokratik. 

Top Channel