Izrael, firmoset pakti i koalicionit

15/03/2013 16:25

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka firmosur marrëveshjen për formimin e koalicionit të ri qeverisës.

Aleanca e tij Likud-Yisrael Beitenu ka nënshkruar një marrëveshje me partinë e qendrës Yesh Atid dhe Jewish Home, njoftojnë burime nga grupet e koalicionit.

Kjo është hera e parë në një dekadë që në një koalicion qeverisës izraelit nuk përfshihen grupet ultra-ortodokse.

Marrëveshja vjen pas disa javësh ngërçi politik që nga zgjedhja e Netanyahut më 22 janar. Ajo u zyrtarizua ditë e enjte, me bisedimet që vazhduan deri në orët e vona të së mërkurës.

Qeveria do të ketë 21 ministra, çka e bën atë më të voglën prej dekadash të tëra. Yesh Atid do të jetë përgjegjëse për financat dhe arsimin, ndërsa Likud merr ndër të tjera Ministrinë e Brendshme.

Pas nënshkrimit, marrëveshja duhet të aprovohet nga Parlamenti i Izraelit, Kneseti. Një prej sfidave kryesore të qeverisë së re do të jetë miratimi i buxhetit të 2013-ës, i cili përmban shkurtime si rrjedhojë e masave anti-krizë.

Netanyahu kërkoi zgjedhje të parakohshme në muajin tetor për shkak se mosmarrëveshjet mes partnerëve të koalicionit qeverisës e kishin bërë të pamundur kalimin e atij që kryeministri e quante një “buxhet të përgjegjshëm”.

Top Channel