Indi-Itali, vijon “sherri” për marinarët

15/03/2013 16:45

Aeroportet në mbarë Indinë janë urdhëruar nga nivelet më të larta shtetërore që të ndalojnë ambasadorin italian Daniele Mancini, nëse ai përpiqet të largohet nga vendi.

Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtar i Ministrisë së Brendshme indiane për BBC. Urdhëri vjen pas vendimit të një dite më parë të Gjykatës Supreme të vendit aziatik, që urdhëroi ambasadorin të mos largohet nga vendi, pas refuzimit të Romës zyrtare për të kthyer dy marinarë të akuzuar për vrasjen e dy peshkatarëve vitin e kaluar.

Gjykata kishte lejuar marinarët që të  shkonin në shtëpi për të votuar në zgjedhjet e muajit të kaluar. Zoti Mancini ka siguruar personalisht gjykatën indiane se ata do të kthehen brenda afatit kohor të vendosur prej saj.

Zyrtarë nga Ministria e Brendshme indiane kanë deklaruar se njoftimi për aeroportet është thjesht një veprim rutinë pas vendimit të Gjykatës Supreme.

Deri tani nga ambasada italiane në Nju Delhi nuk ka pasur asnjë koment mbi këtë urdhër. Çështja e marinarëve italianë, Massimiliano Latorre dhe Salvatore Girone ka shkaktuar një sherr diplomatik mes Indisë dhe Italisë.

Ditën e mërkurë, kryeministri Manmohan Singh paralajmëroi se do të ketë pasoja serioze nëse Italia nuk i kthen dy marinarët. Me një ton më të ashpër se zakonisht, kreu i qeverisë tha se refuzimi i Italisë për të kthyer dy ushtarakët ishte “i papranueshëm”.

Dy marinarët italianë akuzohen se kanë qëlluar për vdekje dy peshkatarë në shkurt të vitit 2012 në lokalitetin e Keralasë, të cilët ata pretendojnë se i ngatërruan për piratë. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA