Hungari, kryeministri Orban sfidon SHBA-BE

15/03/2013 09:15

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, sfidoi Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se ndryshimi i propozuar i kushtetutës është demokratik.

Duke folur në Bruksel, përpara një samiti të 27 liderve të BE-së, Orban theksoi se kritikat nuk janë të bazuara në fakta, por në një “përshtypje dhe përceptim politik”.

”Kush është në gjendje që të prezantojë qoftë edhe një provë të vetme, qoftë edhe një fakt jo të plotë, të argumentave tuaj se ndryshimet kushtetuese të propozuara nuk janë demokratike”, sfidoi Orban drejtuesit e tjerë të shteteve.

”Pa fakte, nuk ka kuptim që të vazhdojmë këtë bisedë, pasi ajo po shndërrohet në një diskutim të përgjithshëm politik”.

Partia ”Fidesz” e kryeministrit Orban gëzon më shumë se 2/3 e vendeve në Parlament, ndaj ka dorë të lirë ndaj ndryshimeve kushtetuese.

Amendamentet pritet të sjellin një sërë ndryshimesh në ligjin për arsimin e lartë, atë për të pastrehët, për zhvillimin e fushatës elektorale, të drejtat familjare dhe funksionimin e gjykatës së lartë dhe asaj kushtetuese.

Paketa e ndryshimeve ligjore është konsideruar si “grushti i fundit” ndaj demokracisë së “brishtë” hungareze nga zërat e opozitës në vend dhe ka ngjallur disa reagime të ashpra kundërshtuese brenda BE-së.

Në një thirrje adresuar Budapestit zyrtar, Këshilli i Europës kërkoi që të paktën votimi të shtyhet, deri kur dokumenti i ndryshimeve, prezantuar në mënyrë të beftë, të analizohet në detaje nga konstitucionalistët dhe ekspertët europianë.

Në të shkuarën, qeveria e Orban është vendosur nën kritika të ashpra të Brukselit, për një sërë ligjesh, midis të cilave edhe ai që do të rikthente censurën mbi mediat.

Kryeministri autoritar i Hungarisë ka ngjallur kundërshti edhe për deklaratat e tij polemizuese, disa herë me tone anti-europiane, në kundërshtim me rolin që Hungaria pritet të ruajë si një prej 27 vendeve anëtare të BE-së.

Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i kanë bërë disa herë thirrje politikavëve hungarezë që të respektojnë institucionet e pavarura dhe parimin “check and balance”, si parimin themelor të funksionimit të shtetit demokratik.

Top Channel