Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të parë, plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre.
Ky ndryshim, i kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka për qëllim njohjen e statusit të viktimave të abuzimit seksual e të dhunimit, si kategori e veçantë e viktimave civile të luftës.
“Arsyeja se pse kemi iniciuar plotësim-ndryshimin e ligjit aktual dhe jo hartimin e një ligji të veçantë, është për shkak se kjo është kërkesë e vetë kësaj kategorie. Ata janë produkt i luftës, sikurse kategoritë e tjera dhe nuk duan trajtim të veçantë nga ta, gjë që do bënte që këta persona, edhe më tej, të jenë të stigmatizuar nga shoqëria. Ligji aktual nuk përfshin edhe viktimat e abuzimit seksual e të dhunimit. E drejta themelore e tyre është e drejta për t’u njohur si viktima dhe më pas të konsiderohen edhe detyrime të tjera institucionale pas evidentimit. Përdhunimi është formë e krimit kundër njerëzimit”, tha Albana Gashi, deputete VV.
Kjo kërkesë ka ngjallur një debat të pazakontë në Kuvendin e Kosovës, duke shënuar kështu edhe herën e parë, që kjo temë e ndjeshme të diskutohet në një institucion të lartë. Ndryshimi gjeti përkrahje edhe nga deputetët e koalicionit qeverisës, por disa kanë kërkuar që të përcaktohet numri i saktë i këtyre viktimave dhe pastaj të përfshihen në këtë ligj.
Deputetët e vënë në pah se tema për viktimat e dhunës seksuale, gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk është debatuar asnjëherë në Kuvendin e Kosovës. Sidoqoftë, tashmë mbetet që ky ligj i plotësuar të miratohet edhe në shqyrtimin e dytë përfundimtar dhe të hyjë në fuqi.
Top Channel