Italia rekord me Njëqindvjeçarët, mbi 2,000 Italianë festojnë 100 vjetorin në 2025 Të gjithë atyre njerëzve që këto ditë iu ka rënë rruga të kalojnë në Elbasan kanë arritur të nuhasin aromën e këndshme të bollokumeve.
Është 14 Mars, dita e fillimit të vitit sipas kalendarit të vjetër e çdo derë në Elbasan ka pritur miq nga e gjithë Shqipëria. Ndërkohë edhe familja Myhyrdari na ka hapur portën e na ka mikpritur ashtu siç e kanë traditë elbasanasit. Lavdia, nëna e famijes, ka vendosur të na tregojë recetën dhe sekretet e bollokumes, ashtu siç është trashëguar brez pas brezi ndër shekuj.
“Marrim 1 kg sheqer, një gjysmë kilogrami gjalpë dhe i rrahim një gjysmë ore deri sa të bëhet si krem. Më pas, vazhdojmë duke e rrahur dhe i fusim nga një kokërr vezë çdo 5 minuta deri sa t’i kemi hedhur 7 kokrra vezë. Më tej, marrim 900 gramë miell të situr, e hedhim tek përzierja dhe vazhdojmë ta rrahim. Pasi e kemi bërë brumin, formojmë kokrrat dhe i vëmë në tepsi. 10 minuta para se t’i fusim në furrë, e nxejmë paraprakisht. Pjekja do 30 minuta.”
Ka qenë ende e re kur ka përgatitur bollokumet e para dhe nuk do ta humbë në asnjë mënyrë traditën që ia kanë mësuar shumë e shumë vite më parë: “Bollokumet i kam mësuar tek shtëpia e burrit. Vjehrra ishte specialiste dhe më mësoi edhe mua.”
Sot është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur ende nuk kishte lindur krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër. Dimri i ftohtë i linte radhën stinës së luleve.
Organizimi i kësaj feste dikur shoqërohej edhe me të tjera rite e lojra fëmijësh: “Dita e verës pritej me dëshirë sepse ikte dimri i ftohtë. Conim dhurata tek të afërmit dhe ia kalonim bukur.”
Kaluam disa orë në shoqërinë e nënë Lavdies, por erdhi koha të largohemi nga epiqendra e festës së luleve. Tashmë duhet ta keni vënë veroren dhe të gjithë jemi në pritje të dallëndyshes bishtgërshërë. Por mos harroni vargjet:
Dallëndyshe bishtgërshërë
Merre veroren time çoje në
Det e më sill bukë e shëndet
Top Channel