Në Prishtinë është mbajtur paraditen e së enjtes protesta e paralajmëruar kundër privatizimit të ndërmarrjes së Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës.

Sipas raportimeve të “RTK”, punonjësit e institutit kanë kërkuar ndërprerjen e proçesit të privatizimit dhe nënshkrimin e marrëveshjes kolektive, që sipas tyre bllokohet nga ministri i Ekonomisë, Besim Beqaj.

Protesta ka nisur përpara godinës së PTK-së dhe më pas është zhvendosur pikërisht përpara asaj të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ku protestuesit i kanë dërguar një mesazh drejtuesit të këtij dikasteri.

“I bëjmë thirrje ministrit Beqaj dhe të gjithë atyre që vendosin për këtë çështje, që t’i largojnë duart nga PTK-ja, ta anulojnë proçesin e privatizimit, të na lejojnë të zhvillojmë projektet tona dhe të nënshkruajnë kontratën kolektive. Ndryshe do të ketë pasoja dhe përgjegjës për ato do të jenë vetë ata që kanë shkaktuar këtë situatë”, ka deklaruar kreu i Federatës Sindikale të PTK-së, Milazim Alshiqi.

Protesta është përkrahur edhe nga Sindikata e Pavarur e Elektro-Kosovës, si dhe Federata Sindikale e Bujqve. Organizatorët kanë deklaruar se manifestimet nuk do të ndalen derisa të realizohen kërkesat e tyre.

Top Channel