Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur në seancën e së enjtes ish-ministrin e Financave, Bedri Hamza, si guvernatorin e ri të Bankës Qendrore të Kosovës.

Sipas raportimeve të “REL”, nga 67 deputetë që kanë qenë të pranishëm në sallë, 58 prej tyre kanë votuar pro kandidaturës së zotit Hamza.

Në momentin e votimit, deputetët e LDK-së dhe lëvizjes Vetëvendosje kanë braktisur sallën e Kuvendit, me argumentin se me emërimin e Hamzës po politizohet BQK.

“Me emërimin e Bedri Hamzës, Banka Qendrore e Kosovës mund të quhet Banka e Partisë Demokratike”, janë shprehur deputetët e lëvizjes Vetëvendosje.

Bedri Hamza ka qenë ministër i Financave deri në janar të këtij viti, kur dha dhe dorëheqjen nga ky post, i cili që prej atëherë ka mbetur vakant.

LDK dhe Vetëvendosje e kishin paralajmëruar që muajin e kaluar largimin nga salla me arsyetimin se nuk mund të merrnin pjesë në votime për propozime partiake.

AAK paralajmëroi se do të qëndronte në sallë por do të votonte kundër, ndërsa partia në pushtet, PDK, kritikoi veprimin e kolegëve nga opozita.

Të njëjtën ditë anëtar joekzekutiv i BQK-së me votat e fshehta të deputetëve u zgjodh Bedri Peçi, i cili mori 48 vota, duke lënë shumë prapa dy kandidatë të tjerë. 

Top Channel