Korea e Veriut përgatitet për luftë

14/03/2013 15:35

Korea e Veriut iu kundërpërgjigj stërvitjeve ushtarake të përbashkëta të Jugut me Shtetet e Bashkuara të Amerikës me shpalljen e një stërvitje të përgjithshme pranë kufirit, një lëvizje rrit më tej tensionet në Gadishullit Korean.

Disa divizione të ushtrisë tokësore, të mbështetur nga flota ajrore dhe ajo detare, simuluan një kundërpërgjigje të gjerë, të një provokimi të Koresë së Jugut në kufi.

Stërvitjet, në të cilat morën pjesë njëkohësisht dhjetëra mijëra ushtarë, u ndoqën personalisht nga diktatori Kim Jong-un, i cili në 11 mars urdhëroi anullimin e armëpushimit që i dha fund luftës midis dy Koreve në vitin 1953.

Si rrjedhojë, të dy shtetet janë rikthyer në gjendje lufte dhe në fjalët e tij, më parë gjatë muajit, Jong-un kërcënoi me një sulm bërthamor, në gjendje për të “shfarrosur” “imperalistët amerikanë dhe qeverinë kukull të Seulit”.

Tensionimi i situtaës, më i rrezikshmi në shumë vjet, erdhi si pasojë e reagimit të ashpër të Penianit, pas vendosjes së disa sanksioneve ndërkombëtare, për shkak të provave të paautorizuara bërthamore dhe lëshimit të një sateliti në hapësirë, nëpërmjet një rakete me rreze të gjatë, në shkurt dhe dhjetor 2012, përkatësisht.

Nga ana e tij, Kim përgëzoi njësitë e ushtrisë për saktësinë në shkatërrimin e armiqve imagjinarë, ndërsa sipas Agjensisë Koreane të Lajmeve “KCNA”, theksoi se vendi i tij “tashmë është në luftë dhe duhet gatishmëria maksimale në çdo moment, në të cilin mund të fillojnë veprimet e vërteta ushtarake”.

Shteti komunist, më i izoluari në botë, pretendon se është në gjendje të godasë me raketa bërthamore SHBA-në, por ndonëse ekspertët kanë konfirmuar se Peniani zotëron midis 5-10 mbushjeve bërthamore, ka shumë pak gjasa që të jetë arritur teknologjia e mjaftueshme për t’i instaluar ato në një raketë, aq më pak në një raketë me rreze të gjatë veprimi.

Sipas të dhënave të njohura, Korea e Veriut ka një ushtri të kompletuar, e katërta në botë përsa i përket numrit të ushtarëve në gatishmëri dhe e para për numrin e nëndetëseve në disponim, por aftësitë luftarake të shtetit me 25 milionë banorë konsiderohen si tejet të kufizuara, për shkak të vjetërimit të madh të shumicës së armatimeve, mungesës së teknologjisë moderne të ndërlidhjes dhe paaftësisë së Penianit për të financuar një konflikt të zgjatur në kohë.

Top Channel