Kinë, Xi Jinping konfirmohet si president

14/03/2013 00:00

Liderët e Pekinit kanë emëruar Xi Jinping si president të vendit, në sesionin parlamentar vjetor, duke kompletuar kështu tranzicionin e pushtetit 10-vjeçar të Kinës.

Xi, i emëruar si kryetar i Partisë Komuniste në nëntor, zëvendëson Hu Jintao, i cili ka dhënë dorëheqjen. Rreth 3000 deputetë të Kongresit Popullor Kombëtar kanë marrë pjesë në votimin e mbajtur në Sallën e Madhe të Popullit.

Kryeministri i ri, i cili pritet të jetë Li Keqiang, mund të emërohet gjatë ditës së premte, duke zëvendësuar Wen Jiabao. Votimet janë thjesht ceremoniale, pasi rezultatet rrallë herë mund të përbëjnë ndonjë surprizë të vërtetë.

Xi u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste në 8 nëntor dhe mori gjithashtu edhe kryesimin e trupës kryesore ushtarake, Komisionit Qendror Ushtarak.

Ky votim, i cili i dha atij rolin e kreut të shtetit, është faza e fundit e tranzicionit të pushtetit në duart e tij dhe ekipit të tij, Komitetit të Përhershëm prej 7 anëtarësh.

59-vjeçari Xi është djali i një veterani revolucionar, dhe si i tillë shihet si një “princ”, një zyrtar i cili i detyrohet të paktën disa prej sukseseve të tij lidhjeve familjare.

Ai mbante rolet më të larta të partisë në Zhejiang dhe Shangai, përpara se të emërohej në Komitetin e Përhershëm, trupa vendimmarrëse kryesore e Kinës, në 2007.

Që prej kalimit të tij në krye të partisë, në nëntor, Xi është trumbetuar në mediat kineze si një njeri i popullit, i cili i shmanget lajkave të zakonshme të pozicionit të tij.

Ai cilësohet gjithashtu si një lider, i cili kërkon të largojë korrupsionin nga të gjitha nivelet, duke paralajmëruar trazira popullore nëse privilegjet e partisë nuk do të trajtohen siç duhen.

Top Channel