Historia e dhimbshme e Artan Metës

14/03/2013 17:20

Në një natë fatale, jetët e Nikolas Melis dhe Artan Metës u takuan për të marrë pas këtij takimi krejtësisht një tjetër rrjedhë. Në këtë natë u krye një vrasje, një vrasje absurde që mbetet pa kuptim, pa shkak dhe tepër e dhimbshme.

Artan Meta ishte një 45-vjeçar i cili punonte si barist në Vilasor, pranë Sardenjës. 23 vjet më parë ai kishte emigruar nga Shqipëria për në shtetin fqinj italian me ëndrrën e madhe për një jetë të re, për një jetë të mirë. Si çdo emigrant ishte përpjekur të gjente veten me profesione të ndryshme, teksa fati i mirë e dergoi tek një pronar me zemër të madhe, i cili duke parë dëshirën për punë të Artanit, e mori menjëherë si barist në lokalin e tij.

Qyteti i Vilasor do të shndërrohej në “atdheun” e Artanit për gati dy dekada, por mbrëmja e 21 janarit e këtij viti do të ishte e trishtë për familjen e Artan Metës dhe për mbarë komunitetin e zonës. Pranë makinetës së cigareve, në ambientet e lokalit ku punonte Artani, do të afrohej një makinë me tre të rinj. Njëri prej tyre, i identifikuar si Nikolas Melis, vetëm 18 vjeç, pasi futi një kartëmonedhë 5 euroshe për të marrë një paketë cigaresh, nisi të godiste pajisjen me pretendimin se nuk po i kthente kusurin. Artani, duke dashur të qetësonte të riun, i afrohet. Biseda nuk ishte zgjidhja. Pa asnjë paralajmërim, 18-vjeçari italian e godet pas koke duke e lënë pa ndjenja.

Edhe pse ndërhyrja mjekësore ishte në kohë, plagët ishin aq të rënda saqë pas një jave në koma, jeta e tij u ndërpre në spitalin Brotzu të Kaljarit. I gjithë komuniteti italian u indinjua për krimin absurd. Në emër të drejtësisë ata vërshuan në rrugët e Vilasor me lule dhe pankarta. Vete kryebashkiaku, Valter Marolju, i dedikoi Artanit një status në rrjetet sociale ku i shprehte të gjithë vlerësimin dhe përpjekjen për të vënë në vend drejtësinë.

Nga ana tjetër, 18-vjeçari, çuditërisht në gjendje të lirë, nuk humbi kohë duke postuar dhe ai një mesazh në Facebook ku thonte: “Ta hajë dreqi, futem në telashe për njerëzit. Edhe më të fortë të ta kisha dhënë shqelmin”, ndërsa nga faqet e gazetës kërkonte ndjesë.

Avokati i palës së dëmtuar u tha familjarëve se duhet të kalojnë 60 ditë që ai të arrestohet, por i gjithë komuniteti është skeptik për vendimin. Familja e të ndjerit vendosën të dhuronin organet e emigrantit, një gjest i cili bëri të mundur të shpëtonin dy jetë. Kjo do të ishte dhe dëshira e Artanit, u shprehën familjarët pas vendimit. Akti i dhurimit ishte si një mesazh i fundit mirësie që ai i la qytetit italian të Vilasor që e mirëpriti për 23 vjet, ndërsa pa dallim kombësie, italianë dhe shqiptarë ende kërkojnë drejtësi.

Top Channel